Shkruan: Naser Pajaziti
Haxha Isuf Asllani, shqiptari nga Kumanova, i njohur si heroi i Sarajevës, është një emër që ditëve të fundit e kam hasur në rrjetet sociale dhe mediat boshnjake.
Haxha, që njihej si Hadžo Isuf Aslani, por edhe me nofkën “Shok” mes boshnjakëve, konsiderohej si luftëtari legjendë i pamposhtur gjatë luftës së viteve 92-95.
Kumanovari kishte ardhur në Sarajevë në fund të viteve ’80 për të punuar në punë të ndryshme. Lufta e gjeti aty, në Sarajevën nën shtetrrethimin serb.
Ai iu përgjigj menjëherë thirrjes së Armatës së Bosnjë-Hercegovinës, duke u shquar shpejt si diversanti i famshëm i Brigadës së Dytë Viteze të kësaj ushtrie, i cili në betejat më të ashpra la rininë dhe shëndetin e tij.
Bashkëluftëtarët e tij, përmes kujtimeve dhe storjeve në mediat boshnjake, e kujtojnë si njeri që nuk kursente veten, sidomos në kodrat e malit Zuç mbi Sarajevë, një nga pikat kyçe të mbrojtjes së qytetit të rrethuar.
“Në një nga operacionet më të njohura, ‘Shoku’, me grupin e diversantëve, u afrua zvarrë drejt llogoreve serbe dhe ishte i pari që u hodh mbi pozicionin e armikut duke sulmuar me granata, e më pas duke u përlesh trup më trup me ushtarët serbë. Nga llogoret doli i plagosur, duke mbajtur armën e kapur, aq i përgjakur sa shokët mezi e njohëm. Ajo skenë u bë pjesë e historisë së pashkruar të mbrojtjes së Sarajevës”, rrëfen një bashkëluftëtar i tij.
Por për Haxhën, që sakrifikoi çdo gjë për Sarajevën e tij dhe popullin boshnjak, paslufta ishte e pamëshirshme. Pa familje dhe pa mbështetje institucionale, ai vite të tëra mbeti në rrugë, shpesh duke fjetur në karriget e parqeve të Sarajevës.
Vetëm në vitin 2022, organizata humanitare Pomozi.ba dhe qytetarë të ndryshëm arritën t’i siguronin një banesë të thjeshtë dhe një ndihmë mujore për të mbijetuar.
Çdo ditë ai shihej në një udhëkryq, duke shitur emblemë të parfumuara me simbolin e ushtrisë boshnjake.
Heroi Haxha Isuf Aslani u shua me të njëjtën heshtje me të cilën institucionet e lanë në harresë. Është një kujtesë e dhimbshme se heronjtë mund të heshtin, por ne nuk duhet të heshtim për ta.

