Helmimi me sallmonellë, mbyllen kuzhinat e gjashtë shkollave në Shkup
Helmimi i 12 nxënësve në 6 shkollat e Shkupit nga bakteria e quajtur Sallmonella, rezultoi me mbyllje të kuzhinave të shkollave. Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka njoftuar se pas inspektimit të jashtëzakonshëm në disa shkolla për shkak të paraqitjes së infeksionimit nga sallmonella ka mbyllur kuzhinat e shkollave “Vojdan Çernodrinski”, “Jan Amos Komenski”, “Bratstvo” dhe “Hristian Todorovski – Karposh si dhe magazinën qëndrore nga ku shpërndahen produktet ushqimore, njoftojnë nga Inspektorati sanitar shëndetësor.
INSPEKTORATI SANITAR SHËNDETËSOR
“Nga të dhënat e marra nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup, nga dita e djeshme janë raportuar gjithsej 12 nxënës me simptoma dhimbje stomaku dhe temperaturë të ngritur trupore me shkaktar të vërtetuar – bakteria salmonela. Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor me vendim ka mbyllur përkohësisht kuzhinat në të gjashtë shkollat fillore të vizituara si dhe depon qendrore nga ku shpërndahen produktet ushqimore.”
Ndalimi i funksionimit të kuzhinave të shkollave, siç thuhet në njoftim, do të jetë i vlefshëm deri në heqjen e masave të urdhëruara sanitaro-higjienike dhe antiepidemike, të cilat përfshijnë pastrim të përgjithshëm mekanik të hapësirës dhe pajisjeve, dezinfektim të jashtëzakonshëm, dezinsektim dhe deratizim nga një institucion i autorizuar, si dhe deri në marrjen e rezultateve negative nga mostrat e marra nga sipërfaqet dhe pajisjet e punës.
Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm në një objekt – depo qëndrore që menaxhohet nga kompania “Vanila Food”, nga ku janë vendosur kuzhinat në shkollat në territorin e komunës së Karposhit , pas njoftimit nga Instituti i shëndetit Publik se nxënësit e disa shkollave të komunës së Karposhit janë helmuar nga bakteria sallmonella.
Sallmonella është një bakterie e cila zakonisht përhapet në ushqime që nuk përgatiten siç duhet para ngrënies.