Skena politike në Kosovë është përfshirë nga një ngërç i thellë, i cili ka vënë përballë dy figurat kryesore të vendit, kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Përplasja, e cila kulmoi me propozimin e fundit të Osmanit për ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, duket se ka rrënjë më të thella dhe përfshin aktorë përtej kufijve të Kosovës, me akuza që drejtohen edhe ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

LEXO EDHE:
Fyeu rëndë Vokshin, deputetët e PD-së braktisin Kuvendin: Do të kërkojmë përjashtimin e Ballës

E ftuar në edicionin e mbrëmjes në Syri Tv nën moderimin e Armela Ferkos, Edit Harxhi, eksperte për çështjet ndërkombëtare, shprehet se, situata aktuale nuk është thjesht një mosmarrëveshje procedurale, por një përplasje mes dy figurave të forta që dikur ishin aleate. Në këtë kontekst, pretendohet se kryeministri Edi Rama ka luajtur një rol kyç në këtë përçarje.

Harxhi e argumenton me afërsinë e shtuar të Ramës me presidenten Osmani gjatë vitit të fundit, e shoqëruar me një shkëputje të dukshme nga Albin Kurti, që sipas saj ka qenë një faktor destabilizues. Kjo ndërhyrje cilësohet si një formë “paternalizmi” ndaj politikës së Kosovës, një qasje të cilës Kurti i ka rezistuar vazhdimisht.

Në lidhje me bllokadën aktuale për zgjedhjen e presidentit, Harxhi thekson se nuk bëhet fjalë për një krizë kushtetuese, por për një lojë politike për pushtet. Nisma e Osmanit për zgjedhjen e presidentit nga populli konsiderohet një lëvizje e vonuar dhe pa efekt praktik për mandatin aktual, pasi ndryshimet kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese.

Përçarja ka ngritur pyetje edhe për implikimet ndërkombëtare. Ndërsa Vjosa Osmani ka arritur të forcojë profilin e saj diplomatik dhe të risjellë Kosovën në tryezat ndërkombëtare, duke kultivuar marrëdhënie të mira me aleatët perëndimorë, ekziston perceptimi se kjo mund të ketë shkaktuar një lloj shqetësimi te kampi i Kurtit.

Mendoj që është një përplasje politike midis dy figurave të forta që kanë qenë bashkë deri tani, ose jo deri tani, deri përpara disa kohësh dhe janë ndarë. Në këtë situatë të krijuar se nuk dua ta quaj konflikt faktikisht, në këtë situatë të krijuar në Kosovë, nuk është pa faj ai i cili normalisht shkakton trazira të tilla në Kosovë që e ka emrin Edi Rama. Kjo lidhet e para me afërsinë që ai ka bërë me Osmanin gjatë muajve të fundit apo dhe vitit të fundit. Në përgjithësi shkëputjen që ai ka bërë nga Albin Kurti, pavarësisht që i përkasin të njëjtit klub të majtë, por Edi Rama nuk është ideologjikisht i majtë, ndërsa Albini është, mendoj unë përfaqësuesi ideologjik i të majtës në përgjithësi, dhe ndërhyrja e tij për të bërë ndarjen midis atyre të dyve, natyrisht është një nga faktorët që ka sjellë edhe këtu Rama.

Kjo ka vazhduar më tej me Davosin, sipas informacioneve që kam unë, zoti Rama natyrisht siç e dinë të gjithë shqiptarët nuk është lejuar të shkojë në Davos, por i është kërkuar që të shkojë Elisa Spiropali, ministrja e Jashtme dhe ai nuk e ka pranuar diçka të tillë sepse ose ai ose askush tjetër, sepse ishte i vetëshpallur si përfaqësues. Por krisja e tyre, natyrisht është edhe për arsye të situatës në Kosovë gjatë dy viteve të fundit, që nga sanksionet, që nga vendimi i zotit Kurti për të ndërhyrë në Mitrovicë, situata e Banjskës e tjerë, dhe mosdakordësia e tij për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit, në të cilën ai e ka nënshkruar vetë.

Ai ka qenë underground, është underground, sipas informacioneve që kam, ai është, në vizitën që ai bëri së fundmi në Kosovë, që ishte një apo një ditë përpara takimit. E ka bërë mendoj unë me qëllim që të sigurojë një mbështetje nga partitë opozitare për zonjën Osmani. Gjë që e cila nuk ecën në Kosovë me Albin Kurtin sepse ai ka treguar që është kryeministër jo konvencional. Unë nuk u bashkohem në asnjë pikë ideologjikisht me Kurtin, por që ai ka mbajtur një qëndrim ndaj paternalizmit të Edi Ramës në lidhje me Kosovën, ai e ka bërë këtë në formë të drejtë.

Pavarësisht sanksioneve, ai qëndroi dhe u pamë që në fund fare ai fitoi 51.5% të votave. Po ka një problem këtu. Tani të dy bashkë kanë hyrë bashkë si dy, si elita e re politike e Kosovës përpara disa vitesh dhe mendoj që ajo ka qenë më tepër e induktuar sesa ka qenë origjinale.. Dhe natyrisht gjithçka e induktuar që shkonte përtej disa parimeve sepse zonja Osmani ka kundërshtuar çdo lloj bashkëpunimi me Vetëvendosjen kur ajo ishte në LDK.

Madje ishte zëri më i fortë kundër bashkëpunimit me Vetëvendosjen. Dhe ajo menjëherë me atë pragmatizmin e saj sepse nëse e dallon diçka Vjosa Osmanin është pragmatizmi. Ajo vazhdoi dhe u kthye tek Albin Kurti dhe natyrisht mori pozicionin e presidentes. Tani në situatën aktuale që jemi, çfarë po ndodh? Unë nuk shoh që ka një krizë kushtetuese Kosova sepse kushtetuta nuk është prekur për asnjë moment. Dhe ndoshta nuk e di a do preket deri në 12 të natës sonte sepse është ai afati që duhet që të zgjidhet deri në datën pesë në 12 të natës të zgjidhet presidenti i ri. Megjithatë ata mendoj që do të luajnë edhe me kërkesa ndaj gjykatës kushtetuese. Pra mund ta përfundojnë pa një kandidat të dytë dhe pastaj t’i shkruajnë Gjykatës Kushtetuese t’i kërkojnë opinion siç u bë zvarritja e qeverisë për disa muaj para një viti.

Në qoftë se ka pasur një pikë Kosova në arenën ndërkombëtare, ai ka qenë Ibrahim Rugova, i cili ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Patjetër. Ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Po shumë njerëz mund të thonë që ka qenë periudhë tjetër. Jo, ka qenë periudhë edhe më e vështirë për Kosovën sepse Kosova nuk ishte as shtet atëherë kur është pritur në Shtëpinë e Bardhë. Dakord. Dhe, natyrisht që Vjosa Osmani është elokuente, në mënyrë të padiskutueshme dhe ka pasur një karrierë shumë të mirë diplomatike, megjithëse ka qenë thjesht politikane e LDK-së për shumë vite, por ka pasur një karrierë të mirë edhe diplomatike në rangje diplomatike. Dhe mendoj që elokuenca e saj ka bërë të mundur natyrisht këtë marrëdhënie të cilën e ka bërë të mundur natyrisht këtë marrëdhënie të cilën është e mirë për Kosovën.
© SYRI.net

sqShqip