Kosovë

Haradinaj thotë se AAK-ja i fiton zgjedhjet lokale

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se partia e tij është favorite për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Haradinaj në Rubikon bëri të ditur se punët për zgjedhjet lokale tashmë kanë nisur në parti, njofton Klan Kosova.

“Kemi filluar punën për zgjedhjet komunale në gjashtë degët tona do të mbajmë zgjedhje të brendshme. Është problem situata tash me pandeminë por do të gjejmë rrugën t’i mbajmë”.

“Në një pjesë veç i dimë kandidaturat në Deçan është Bashkim Ramosaj, në Junik është Agron Kuqi, në Gjakovë është Ardian Gjini, në Klinë është Zenun Elezi, në Rahovec është Smajl Lafiti, në Suharekë është Bali Muharremaj, të gjithë këta janë njerëz punëtorë dhe ma ta do të vazhdojmë”, tha Haradinaj.

“Jemi duke përgatitur edhe një garë serioze në Obiliq pas largimit të Xhafer Gashit”.

“Aleanca hyn si favorit në zgjedhjet lokale. Ne jemi ndryshimi në qeverisjen lokale dhe atë që qytetarët nuk e kanë ndjerë në nivelin qendror e kanë ndjerë tek ne në nivelin lokal. I kemi disa komuna që jemi favorit ndërsa për tjerat ka mundësi edhe për koalicione”.

Haradinaj tutje tregoi se Daut Haradinaj për Prishtinën dhe Besnik Tahiri për Podujevën janë favorit për t’i fituar zgjedhjet në këto komuna.

Kreu i AAK-së mes tjerash tregoi se ka menduar të kandidojë për asambleist në komunën e Prishtinës.

“Edhe unë e kam ofruar vetën për asambleist por ishte një dëshirë që unë mos ta bëjë këtë”.

“Më shumë kam dashtë me qenë në asamble të Prishtinës dhe nuk është marre me shku me u ulë si asambleist dhe me i dëgju temat e kryeqytetit”.

“Nuk kam vendos dhe nuk e kam paraparë por e kam vlerësuar këtë”, tha Haradinaj.