June 3, 2024
Maqedoni

Arrestohen në Brazil “bosat” Branisllav Penevski, Slobodan Kosotovski dhe gruaja e tij Sandra, punonin për mafian serbe

Slobodan Kostovski me gruan e tij Sandra në ditën e dasmës

Ndërsa prodhimi i kokainës në Amerikën Jugore është rritur dekadën e fundit, trafikuesit ballkanikë janë pozicionuar për t’i përmbushur kërkesat e Evropës. Autoritetet thonë se historia e gjatë e rajonit të Ballkanit me kontrabandë dhe migrim përmes rrugëve detare ka luajtur rol në rritjen e trafikuesve ballkanikë. Bandat kolektivisht janë quajtur Karteli ballkanik. Rrjetet e tyre kanë rezultuar të vështira për t’u depërtuar dhe akoma më të vështira për t’u rrëzuar.

Trafikuesit e Ballkanit e kanë specializuar kontrabandimin e kokainës nga Amerika Jugore në Evropë, thonë autoritetet. Policia është duke u përpjekur t’i ndjekë hapat e tyre si në det ashtu edhe në tokë.
Në 2018-n, trafikanti i arrestuar i kokainës Slobodan Kostovski ishte arratisur nga një burg i Brazilit dhe ishte rikthyer në Evropë me pasaportë false.

Sipas Policisë, serbi shpejt i ishte kthyer punës së vjetër. Gushtin e kaluar, Kostovski qe arrestuar në Beograd, nën akuzat për dërgimin e 2.7 tonëve kokainë nga Brazili deri tek Ishujt Kanarin.

I njohur nga bashkëpunëtorët me nofkën “Gjenerali”, ai ka qenë duke trafikuar “sasi të mëdha” të kokainës në Evropë për kohë të gjatë, sipas një raporti të policisë serbe në vitin 2022. Kostovski, tash 70-vjeçar, ka jetuar në Brazil shumë gjatë, ku ka arritur të krijojë lidhje të forta me prodhuesit e kokainës nga Kolumbia, Bolivia dhe Peruja dhe ta planifikonte transportin detar të drogave në Evropë.
Kostovski, është duke e pritur gjykimin në një burg të Beogradit, sipas një zëdhënëseje të zyrës së prokurorit të lartë.

Ndërsa prodhimi i kokainës në Amerikën Jugore është rritur dekadën e fundit, trafikuesit ballkanikë janë pozicionuar për t’i përmbushur kërkesat e Evropës, thonë autoritetet. Ata dominojnë tregtinë e kokainës nga laboratorët e Andeanit për t’i shitur në rrugët e qyteteve të kontinentit.

Si u arrit kjo?

Kjo është bërë përmes kontakteve kriminale të komuniteteve të diasporës së Ballkanit në të dy anët e Atlantikut dhe duke infiltruar sistemin e dërgesave që lëviz rreth 90% të fitimeve të tregtisë botërore, sipas zyrtarëve kundër drogës të SHBA-së, Evropës dhe Amerikës Latine.

“Kur flasim për dërgesat e shkallës së lartë, për furnizimin e kontinentit të Evropës, grupi më i fuqishëm janë ballkanikët”, ka thënë Ivo Silva, detektive e policisë federale të Brazilit, që ka hetuar Kostovskin në vitin 2000, si pjesë e Operacionit Niva, një nga hetimet e para të mëdha ndaj trafikantëve ballkanikë të kokainës që vepronin jashtë Brazilit.

Trafikuesit kanë filluar të punojnë nëpër pika të vogla mobile, të fshehta dhe të afta për të lëvizur ngarkesa çuditërisht të mëdha kokaine, kanë thënë zyrtarët kundër narkotikëve. Bandat kolektivisht njihen si Karteli ballkanik. Rrjetet e tyre kanë rezultuar të vështira për t’u depërtuar dhe akoma më të vështira për t’u rrëzuar.

“Nuk ka strukturë hierarkie në Kartelin ballkanik”, ka thënë një ish-zyrtar i Agjencisë amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA). “Nuk kanë kumbarë që i udhëheq”.

Gjurmët e ballkanikëve mund të gjenden në shumicën e kokainës që futet në Evropë çdo vit. Sipas Qendrës së Analizave dhe Operacioneve Detare, 9.7 tonë të kokainës të lidhura me kriminelët e Ballkanit janë konfiskuar vitin e kaluar, që paraqet një rritje për 300% që nga viti 2015.

Të dhënat e fundit sugjerojnë rritje të sasisë së kokainës në Evropë dhe duket se kjo nuk do të ndalojë. Në portin Antwerp të Belgjikës, kalimi kryesor i kokainës së Amerikës Jugore, autoritetet kanë konfiskuar 116 tonë vitin e kaluar. Ndërsa në vitin 2023, dogana atje ka kapur gati 60 tonë.

Autoritetet thonë se historia e gjatë e rajonit të Ballkanit me kontrabandë dhe migrim përmes rrugëve detare ka luajtur rol në rritjen e trafikuesve ballkanikë.

Kriminelët ballkanikë gjithashtu janë “më se të lumtur të punojnë me izraelitët, holandezët, suedezët, dominikanët dhe kinezët”, ka thënë një ish-zyrtar i DEA-së. “Ata më të vërtetë që punojnë me gjithkënd”. Megjithatë, ata i kanë qëndruar larg SHBA-së, për shkak të karteleve meksikane dhe politikave të forta amerikane.

Konfiskimet e kokainës në perëndim dhe qendër të Evropës kanë arritur shifra rekord prej 315 tonëve në vitin 2021, sipas të dhënave nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Kontinenti është duke u prekur nga vrasjet e lidhura me drogën, tash kërcënim kryesor i sigurisë së Bashkimit Evropian, sipas komisioneres për Çështjet e Brendshme të bllokut, Ylva Johansson.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka rekrutuar ushtrinë e kombit për të ndihmuar në luftën kundër dhunës së bandave të lidhur me drogën, që ka përfshirë sulmet me bomba dhe vrasjet e fëmijëve. Në mars, autoritetet greke kanë kapur një bandë ballkanike, që dyshohet se ka qenë përgjegjëse e më shumë se 60 vrasjeve në Evropë. Po atë muaj, rrugët e Brukselit janë prekur nga përleshjet me armë, ku dyshohet se është përfshirë mafia shqiptare.

Në Amerikën Latine, prezenca ballkanike është tani më e fortë se kurrë, sipas hetimit të Europolit. Zyrtarët kanë thënë se ka rreth 50 pika trafikimi nga ballkanikët perëndimorë që punojnë përgjatë Amerikës Latine, me qindra gangsterë të shpërndarë në rajon.

Pas ndarjes së Jugosllavisë në vitin 1991 dhe dekadës së konflikteve etnike që pasuan, kriminelët ballkanikë kanë arritur të ndërtojnë operacione të kontrabandës nga kaosi. Kur është qetësuar situata në rajon, ata janë larguar në Amerikën Latine për mundësi të reja.

Sipas zyrtarëve, atje kanë ndërtuar aleancë me grupe të fuqishme kriminale, duke përfshirë edhe Forcat Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë dhe Komandën e Parë të Kryeqytetit të Brazilit, për t’i ndihmuar në transportin e lirë të kokainës.

Mjeshtëria e rrugëve transatlantike të kontrabandimit është ndihmuar nga njohja e detarisë. Qindra burra nga rajoni punojnë në anije mallrash, ku disa prej tyre janë të ndjeshëm ndaj korrupsionit dhe detyrimit. Trafikantët ballkanikë u japin ryshfet ose i kërcënojnë marinarët ballkanikë t’i manipulojnë kontejnerët e transportit, ta fshehin kokainën në sendet e tyre ose ta transportojnë në anijet e tyre nga varkat e vogla në det. Në tokë, kriminelët e diasporës ballkanike janë të pajisur me infrastrukturë të shpërndarjes dhe shitjes me pakicë për shitjet në rrugë, duke i dhënë Kartelit ballkanik prani përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.

Konfiskimi i madh i kokainës, qershor 2019 (Foto: AP)
Kapja e trafikantëve ballkanikë

Kostovski ishte pjesë e valës së parë të këtyre gangsterëve, që ka nisur të ardhmen e tij në Amerikën Latine, sipas policisë braziliane. Ai kishte rënë në radarin e tyre në vitin 2006, duke e ndjekur informacionin nga policët gjermanë. Deri atëherë, Kostovski kishte “dosje të gjatë kriminale” që përfshinte grabitje të armatosur, vrasje pa paramendim dhe arratisje nga burgjet e Suedisë dhe Holandës, sipas një vendimi të vitit 1989 nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Pasi kishte arritur në Amerikën Latine, Kostovski kishte kontrabanduar cigare nga Paraguai para se t’i fillonte aktivitetet e tjera si trafikimi i drogës dhe i armëve dhe pastrimi i parave.

Në vitin 2006 ishte vendosur në qytetin bregdetar Vilha Velha, afër portit Vitoria. Atje kishte jetuar në apartamentin afër plazhit me gruan braziliane dhe djalin e tyre. Vendimi i tij për t’u vendosur në Brazil nuk kishte qenë aksidental, marrë parasysh vijën e gjerë bregdetare dhe afërsinë me vendet që prodhojnë kokainë.

Sipas dokumenteve të inteligjencës së SHBA-së dhe Brazilit, Kostovski ka udhëtuar shpeshherë, duke përdorur pasaporta false, që e ka bërë të vështirë për ta gjurmuar.

Një ish-zyrtar i DEA-së ka thënë se policia nuk e ka ditur rolin e madh të ballkanikëve në trafikim. Por një rast i konfiskimit e ka bërë të qartë se me çfarë fuqie kishin të bënin.

Në qershor të 2019-s, autoritetet amerikane kanë konfiskuar rreth 18 tonë kokainë – me vlerë mbi 1 miliard dollarë – të fshehur në një anije mallrash. Konfiskimi, një nga më të mëdhenjtë në historinë e SHBA-së, ka shfaqur se sa thellë i kishin futur rrënjët kartelet ballkanike në industrinë detare, sidomos në Kompaninë e Dërgesave Mediterrenean (MSC).

Tetë anëtarë të ekuipazhit – duke përfshirë pesë malazezë dhe një serb – ishin arrestuar për kontrabandim të kokainës. Goran Gogic, malazias, që supozohet se qëndron në krye të dërgesave, është në burg në New York, duke pritur dënimin.

Dokumentet e policisë braziliane tregojnë se gangsterët ballkanikë i kishin shënjestruar anijet MSC për më shumë se një dekadë para konfiskimit të SHBA-së.

Në shtator të 2010-s, policia federale që punonte në hetimin e operacionit “Niva”, kishte konfiskuar 29 kilogramë kokainë të fshehur në qese të dy detarëve malazezë, gjatë përpjekjeve për t’i vendosur në anijen “MSC Sandra”. Dragan Jovanovic dhe Vladimir Bulajic ishin arrestuar dhe dënuar me nga nëntë vjet e gjysmë burgim. Dy marinarët tashmë janë liruar.

Njësoj edhe Boris Perkovic, që prokurorët kanë thënë se i kishte furnizuar me drogë. Perkovici – që sipas policisë kishte punuar edhe në ekipin e Kostovskit në Vilha Velha – ishte liruar në vitin 2018 dhe kishte vdekur pas dy vjetësh.

Anijet e kompanisë ishin pika kryesore e skemës së trafikimit të Kostovskit, sipas raportit për operacionin “Niva”.

Baza e saj në shtetin Espírito Santo është kryeqyteti i industrisë së gurëve të Brazilit dhe dërgon anije me gurë graniti dhe mermeri rreth botës. Ata kishin planifikuar të hapnin vrima në blloqe, ta fshihnin kokainën aty dhe më pas t’i dërgonin në Evropën Lindore. Në korrik të 2010-s, bashkëpunëtori i Kostovskit, Branislav Panevski, maqedonas, kishte marrë me qira një magazinë për t’i eksportuar gurët.

Kjo skemë e bandës kishte dështuar. Në nëntor të 2010-s, policia federale e Brazilit kishte bastisur magazinën e Panevskit, ku kishte gjetur gati 159 tonë kokainë të fshehur nëpër gurë. Panevski dhe Kostovski ishin arrestuar dhe dënuar me 20 vjet burgim për trafikim ndërkombëtar të drogës. Sandra Kostovski, që e ka ndihmuar financimin e operacioneve të burrit të saj, ishte dënuar me 14 vjet burg. Ajo tani është e lirë.

Kostovski kishte arritur të arratisej nga burgu në vitin 2018, duke përdorur pasaportë false për t’u rikthyer në Evropë. Gjatë kësaj kohe policia evropiane kishte filluar hetimin e dy shërbimeve të koduara të komunikimit, EncroChat dhe Sky ECC, ku kanë gjetur bisedat e të dyshuarve, që flisnin haptas për kontrabandimin e drogave, të armëve dhe planifikim të vrasjeve. Këto përgjime vazhdojnë edhe sot, ku që nga 2020-a janë kryer rreth 6.500 arrestime, sipas Europolit.

Në 2021-n, kur policia e Beogradit ka marrë qasje në biseda, ka kuptuar se Kostovski i ishte rikthyer lojës, duke koordinuar “dërgesa të drogave përmes platformave të koduara”. Për më shumë se një vit, policët e kanë gjurmuar Kostovskin teksa takohej me bashkëpunëtorë nëpër Evropë. Deri në vitin 2023 është identifikuar anija që do të përdorej për ta trafikuar kokainën: “Oceania Dos”. Autoritetet i kanë gjurmuar lëvizjet e saj.

“Fundoset karteli ballkanik”, thuhet në deklaratën e Europolit, pas konfiskimit të anijes dhe arrestimit të Kostovskit.

Dy muaj më vonë në Brazil, autoritetet kanë kapur një tjetër trafikant të Kartelit të Ballkanit, Aleksandar Nesic.

Babai i tij, Gorani, kishte arritur në Brazil në 2004-tën dhe brenda pak viteve ishte bërë lider i disa pikave përgjatë Brazilit, që dërgonin kokainë në Evropë. Gorani ishte arrestuar në 2013-n dhe ishte dënuar me 15 vjet burg.

Aleksandari i ka ndjekur hapat e tij, për ta vazhduar biznesin e familjes. Nesici ka përdorur anije të vogla për t’i shmangur procedurat e kontrollit në portet braziliane dhe evropiane. Nesic dyshohet se ka blerë varka peshkimi, të cilat i pajisi me rezervuarë shtesë karburanti, të mbushura me kokainë dhe personel ballkanik ose brazilian për ta kaluar Atlantikun.

Më 1 prill, 2022, marina amerikane ka kapur anijen “Alcatraz I” afër Kepit të Gjelbër, duke konfiskuar gati 5.5 tonë kokainë. Disa muaj më vonë, më 16 gusht, marina e Brazilit ka kapur anijen “Dom Isaac XII”, ku ka gjetur 1.2 tonë kokainë. Nesic ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Guarujá më 5 tetor 2023, është burgosur dhe pret gjykimin.

“Nesici ishte financuesi kryesor i ngarkesave me kokainë, të sekuestruar në anijet ‘Alcatraz I’ dhe ‘Dom Isaac XII’,” ka shkruar policia federale e Brazilit në raportin e vitit 2023.
Pa marrë parasysh arrestimet e trafikuesve ballkanikë, ata vazhdojnë ta furnizojnë Evropën me kokainë përmes taktikave të tyre gjithnjë në zhvillim.