Maqedoni

Grubi pret në takim gjeneralin, Wesley Clark

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka pritur në takim ish-komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-së në Evropë dhe mikun e madh të shqiptarëve, gjeneralin amerikan Wesley Clark.

Gjatë takimit Grubi ka theksuar se ndihet i nderuar që sot në vendin tonë për vizitë gjendet ish-komandanti Suprem i NATO-së dhe miku i madh i vendit tonë, gjeneral i cili ka udhëhequr misionin që i dha fund kapitullit të dhimbshëm të historisë së vendeve në Ballkan.

Grubi dhe Clark kanë diskutuar mbi situatën politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe progresin e të arriturat që ka shënuar vendi ndër vite, duke u bërë shembull dhe për vendet e rajonit sa i përket paqes, stabilitetit dhe progresit.

Republika e Maqedonisë së Veriut si vend anëtar i NATO-së po kontribuon tashmë edhe në misione paqeruajtëse jashtë vendit, derisa sfida e kësaj rruge është falë mbështetjes dhe miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të dyanshëm, duke qenë kështu mirënjohës në rrugën e ndjekur nga kombet e lira dhe demokratike të botës, është shprehur kështu gjatë takimit zëvendëskryeministri i parë, Grubi.

Clark në anën tjetër ka thënë se nuk do të mungojë mbështetja për synimet e Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe prosperitet mbarëshoqëror duke shtuar se Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga vendet mike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë dhe simbol i vendosmërisë në botën demokratike.