Grubi ose Dimitrievski, cili ka qenë mysafir i fshetë te Gruevski në Budapest?
Ka vazhduar debati përmes rrjeteve sociale midis zëvendëskryeministrit nga radhët e BDI-së, Artan Grub dhe kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Gjithçka nisi me një postim që Dimitrievski i njohur si Maksi kishte publikuar në rrjetet sociale dhe që kishte akuzuar Grubin për kontakte me Nikolla Gruevskin duke aluduar edhe për një takim të zhvilluar mes tyre në Budapest. Pas kësaj menjëherë kishte reaguar Grubi, duke iu përgjigjur Maksit me një koment në postimin e tij.
“I jam përgjigjur drejtpërdrejt kryetarit të Komunës së Kumanovës. Në fakt e kam thirrur për të kërkuar falje dhe ja ku po i kërkoj edhe njëherë që të kërkojë falje publike për gënjeshtrën flagrante se gjoja unë kam qenë në Budapest dhe jam takuar me njerëz atje për të diskutuar ndryshimet në Kodin Penal. Unë kurrë në jetën time nuk kam qenë në Budapest, as në Hungari, as nuk kam takuar dikë atje, prandaj them se zoti Dimitrievski gënjen paturpësisht. Po ashtu publikisht i kam kërkuar që t’u thotë qytetarëve nëse Dimitrievski ka qenë vet në Budapest për ta vizituar personin për të cilin aludon dhe për të kërkuar mbështetje për zgjedhjet lokale, në të cilat ai fitoi me votat e VMRO-DPMNE-së, duke u bërë kështu kryetari i parë ‘Vmro-vist’ i Komunës së Kumanovës. Shpresoj të kërkojë falje sa më shpejt që të mos shihemi në gjyq”, kishte shkruar Grubi.
Por, Maksi nuk zgjodhi që ti përgjigjej me kundërkoment, por ai sot ka dalur me një postim të radhës, duke shkruar:
“Nëse e ndiqni me kujdes deklaratën e Z. Grubit ai thotë: “PERSONI I APOSTROFUAR” dhe se temë i bisedimeve në Budapest kanë qenë “NDRYSHIMET NË KODIN PENAL”.
Unë askund në pyetjet e mia drejt Grubit nuk kam përmendur asnjë persona dhe as temën e bisedave.
Por kur dikush e ka mizën nder kapelë atëherë aj pa vetëdije përgjigjet.
Sot do të adresoj edhe disa pyetje bonus deri tek Z. Grubi.
A është e saktë se në takimin mes kryesisë së ngushtë të LSDM-së dhe BDI-së është vendosur që të kërkohet ndihmë nga Budapesti?
A është e vërtetë se në këtë takim është vendosur që Grubi të jetë personi për kontakt me Budapestin?”, nënvizoi Maksim Dimitrievski-Maksi. (INA)