“Nuk ka bir shqiptari ose bijë shqiptare e cila ma qet amendamentin me të cilin shkelen të drejtat e një populli tjetër e unë ta nënshkruaj. Ashtu duhet të veprojë secili nëse dëshiron të jetojë bashkërisht në këtë Kosovë”, këto ishin fjalët e Selvije Gjinajt në fjalimin e mbajtur më 20 qershor të vitit 1990 në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ishte njëra nga 18 delegatet gra të Kuvendit. Mori pjesë në Kuvendin e 2 Korrikut dhe në Kuvendin e Kushtetutës së Kaçanikut. Guximin dhe punën e saj i dëshmojnë edhe deklaratat e fuqishme në mbledhjet e Kuvendit.
Duke parë parregullsitë, shkeljet e të drejtave të shqiptarëve dhe shkeljet ligjore nga ana e Serbisë, bazuar në nenet e Kushtetutës së Jugosllavisë, së bashku me delegatët e tjerë kërkuan që të rishqyrtohej statusi i Kosovës, e cila në atë kohë ishte në kuadër të Jugosllavisë.
Por, përveç rolit të saj si delegate në Kuvendin e Kosovës dhe pjesëmarrëse në vendimin për Kushtetutën e Kaçanikut, kush ishte Selvije Gjinaj?
Ajo lindi më 24 gusht 1941 nga prindërit Sebiha dhe Shaban Hoxha. U lind në qytetin e Mitrovicës, në një familje ku, siç thoshte ajo, libri lexohej me të madhe. Gjyshi i saj, Halimi, e kishte kryer Medresenë në kohën e Perandorisë Osmane dhe ishte imam i fshatrave të Shalës. Në vitin 1935, pushteti jugosllav e largoi nga ky post me arsyetimin se nuk dinte shkrim e lexim në gjuhën serbe.
Babai i saj, Shaban Hoxha, ishte shkolluar në gjuhën arabe dhe turke duke kryer Medresenë, ndërsa kishte ndjekur edhe mësimin në gjuhën serbe. Kështu, ai e zëvendësoi babanë e tij në këtë detyrë.
Shaban Hoxha, siç ka shkruar Selvia në autobiografinë e saj, çdo besimtari i shpjegonte dallimin mes fesë dhe kombit. Ai thoshte se “ne jemi të besimit mysliman, ndërsa kombi ynë është kombi shqiptar”.
Kontribut i rëndësishëm i tij ishte edhe në shkollimin e vajzave. Ai vazhdimisht u sugjeronte banorëve të fshatit të mos i ndalonin vajzat nga shkolla. Shembulli më i mirë për ta ishin dy vajzat e tij të arsimuara, Hadija dhe Selvia.
Vajza e madhe, Hadija, kishte kryer fakultetin dhe më pas kishte magjistruar në degën e biologjisë. Ndërsa Selvija kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në drejtimin e matematikës.
Pas përfundimit të Shkollës Normale në Prishtinë në vitin 1961, Selvija u punësua si arsimtare. Përveç punës si mësimdhënëse, ajo vazhdoi aktivitetin shoqëror duke lobuar për shkollimin e vajzave. Vizitonte vazhdimisht fshatrat e Shalës dhe mundohej t’i bindte banorët e asaj zone që t’i shkollonin vajzat e tyre.
Në vitin 1962, ajo u martua me Veton Gjinajn, i cili rridhte nga një familje patriotike. Familja Gjinaj ishte një familje e njohur në Mitrovicë për kontributin kombëtar. Vetoni kishte edhe dy vëllezër, Bedri Gjinajn dhe Bahri Gjinajn. Për 50 vite, familja Gjinaj ishte e përndjekur politikisht.
Selvija dhe Veton Gjinaj patën dy djem, Besnikun dhe Fisnikun, emra të cilët i kishin zgjedhur vetë.
Në vitin 1962, Vetoni u largua nga procesi mësimor me arsyetimin se ishte vëllai i Bedri Gjinajt dhe vinte nga një familje me frymë nacionaliste. Ai thirrej vazhdimisht nga UDB-ja, merrej në pyetje dhe torturohej. Si pasojë e këtyre maltretimeve, Vetoni u sëmur nga një sëmundje e rëndë dhe vdiq në vitin 1966.
Pavarësisht sfidave dhe vdekjes së bashkëshortit, Selvije Gjinaj u përpoq t’i rriste fëmijët e saj në frymën familjare dhe patriotike. Ajo mori rolin e të dy prindërve për djemtë e saj.
Djali i saj, Besnik Gjinaj, thotë se nëna e tij i ka dhënë shumë Mitrovicës dhe çështjes kombëtare.
“Me të vërtetë ka qenë nana ime, por ka qenë e gjithë Kosovës dhe ka dhënë kontribut të madh si në çështjen e gruas kosovare, ashtu edhe për jetësimin e Republikës së Kosovës”, shprehet Besniku.
Selvije Gjinaj ishte e punësuar në Shkollën “Muharrem Bekteshi” në Mitrovicë. Ajo ishte aktive në Shoqatën e Grave dhe merrej me emancipimin e gruas shqiptare.
Në vitin 1972, së bashku me Shoqatën e Grave, arritën që secilës vajzë e cila dëshironte të vazhdonte shkollimin e mesëm në Mitrovicë t’i siguronin bursë. Qëllimi për shkollimin e shumë vajzave të reja u arrit.
Selvija u diplomua në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në vitin 1977 dhe punoi 26 vite në arsim. Në fillimet e punës së saj si mësimdhënëse, ajo ishte mësuese e ciklit fillor në shkollën që atëherë quhej “Vllado Çetkoviq” (sot “Andon Zako Çajupi”) në Mitrovicë. Më pas, punën e vazhdoi në shkollën fillore “Muharrem Bekteshi” si arsimtare e matematikës.
“Në kolektivin e shkollës ‘Muharrem Bekteshi’ në Mitrovicë ishte privilegj të ishe nxënës i një pedagogeje dhe humanisteje shembullore. Mësuesja, me përkushtim të denjë në procesin mësimor dhe autoritet në kolektiv, arriti të jetë shembull tipik i një intelektualeje. Në dinamikën e jetës në shtëpi dhe në kolektivin e shkollës, ajo ishte gjithmonë prijatare”, e cilëson Gazmend Badivuku, ish-nxënës i Shkollës Fillore “Muharrem Bekteshi” në Mitrovicë, arsimtaren e tij, Selvije Gjinaj.
Në vitin 1987, Gjinaj u emërua drejtoreshë nga BVI Krahinore për Punë Sociale në Jetimoren e Mitrovicës “Aca Maroviq”. Mirëpo, pas ardhjes së masave të dhunshme nga pushteti serb, u largua nga puna.
Selvije Gjinaj ishte edhe anëtare e Kuvendit të Sindikatave Krahinore të Kosovës, nga ku u dërgua si delegate e Kuvendit Krahinor në vitin 1989.
Fazli Hajrizi, në librin e tij “Bedri Gjinaj – mësues dhe patriot i shquar”, e konsideron Selvije Gjinajn si një ndër gratë më të guximshme në Kuvendin e Kosovës.
“Ajo ishte ndër deputetet më të guximshme dhe më aktive, prandaj mori pjesë edhe në Kuvendin e 2 Korrikut dhe në Kuvendin e Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990”.
Hajrizi shton se ajo kishte një admirim të jashtëzakonshëm për Bedri Gjinajn dhe dha kontribut të madh në shkrimin e monografisë për të, duke grumbulluar shumë fakte.
Më 21 qershor 1990, Selvije Gjinaj së bashku me delegatët e tjerë shqiptarë kërkuan që statusi i Kosovës të vihej në pikën e rendit të ditës.
Nuhi Bytyçi, në librin e tij “Libri i luftës”, tregon se në kohën kur ishte i pranishëm në sallë si gazetar, ndër delegatët më aktivë ishin Selvije Gjinaj, Ruzhdi Bakalli, Ramadan Kelmendi, Feride Hyseni, Skënder Skenderi, Adem Mikullovci, Xhemajl Bajra, Nazmi Kelmendi e delegatë të tjerë. Ai thotë se ata insistonin që në rendin e ditës të futej kërkesa për miratimin e Deklaratës Kushtetuese, sipas së cilës Kuvendi i Kosovës do ta shpallte Kosovën të pavarur nga Serbia.
Mbledhjet shtyheshin dhe ndërpriteshin vazhdimisht nga kryetari i Kuvendit, Bozhoviq.
Më 30 qershor, Selvije Gjinaj me 12 delegatë të tjerë të Kuvendit të Kosovës u mblodhën në shtëpinë e profesorit Skënder Skenderi. Aty morën vendimin që më 2 korrik të shpallej Deklarata Kushtetuese, me të cilën Kosova shpallej e pavarur nga Jugosllavia. Deklarata u përpilua nga Fehmi Agani dhe Gazmend Zajmi.
Më 2 korrik, dyert e Kuvendit nuk u hapën për delegatët shqiptarë, por mbledhja u mbajt para dyerve të tij.
Më 5 korrik 1990, në bazë të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Serbisë, Serbia e suspendoi Kuvendin dhe Televizionin e Kosovës. Më pas pasuan suspendime të tjera dhe, brenda një kohe të shkurtër, u suspenduan të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa rreth 100 mijë punëtorë u larguan nga puna.
Më 7 shtator 1990 në Kaçanik, Selvije Gjinaj së bashku me po të njëjtit delegatë mbajtën mbledhjen në të cilën shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke realizuar kështu dëshirën e kahmotshme të popullit të Kosovës.
Por kjo u pagua me një çmim. Selvije Gjinaj dhe të gjithë delegatët e Kuvendit të Kosovës u ndoqën penalisht nga Serbia. Ajo u detyrua ta lëshonte Kosovën dhe qëndroi në Slloveni për dy vite.
Në vitin 2004, Gjinaj u dekorua me Medaljen e Artë të Pavarësisë nga presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për kontributin e dhënë si delegate në Kuvendin e Kosovës.
Medaljen e Artë të Pavarësisë, me të cilën i kishte dekoruar presidenti Ibrahim Rugova më 2 korrik 2004 në një ceremoni të organizuar në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu ia dorëzoi Selvije Gjinajt dhe deputetëve të tjerë që shpallën Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 1990 dhe miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik.
Selvije Gjinaj ndërroi jetë më 2 nëntor 2005 në Prishtinë, pas një sëmundjeje. Ajo u varros në Mitrovicë. La pas vetes dy djem, Besnikun dhe Fisnikun, si dhe gjashtë nipa.

