Pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nuk pritet të shtyhet. Nga Ministria e Arsimit thanë për Alsat se për momentin nuk shqyrtohet një vendim i tillë pavarësisht situatës me gripin stinor dhe ndotjen e ajrit. Nga Ministria e Arsimit thanë se për të sjell një vendim për prolongimin e pushimit janë të nevojshme rekomandime nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Marija Andonovska, drejtore e Institutit të Shëndetit Publik tha se gjendja me gripin është nën kontroll dhe mbikëqyrje të vazhdueshme. Andonovska tha se është akoma herët për t’ju rekomanduar institucioneve përkatëse shtyrje të pushimit dimëror.
“Për të gjitha raportet dhe analizat tona javore opinioni dhe ministria është e njoftuar. Po punon sektori për epidemiologji në Institutin e shëndetit publik. Nëse shohim se ekziston ndonjë mundësi, një devijim i rritur nga mesatarja, mund të japim një rekomandim të caktuar që institucionet e tjera do ta zbatojnë ose jo. Ne po i monitorojmë gjërat, ndoshta është shumë herët për të thënë për momentin nëse do ta rekomandojmë një gjë të tillë apo jo. Ajo që është më e rëndësishme është që situata të jetë nën kontroll dhe të monitorohet”, tha Marija Andonovska, drejtore e Institutit të Shëndetit Publik.
Raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik mbi gripin raportoi tre herë më shumë raste gripi këtë vit krahasuar me vitin e kaluar. Sipas raportit, në javën e parë të këtij viti janë regjistruar 1, 725 raste të gripit, që paraqesin një rritje prej 2.2 për qind krahasuar me javën paraprake dhe 5.2 për qind më shumë në raport me sezonin e kaluar. Incidenca më e lartë është vërejtur te fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç. Sipas raportit, aktualisht në vend po qarkullon me intensitet të lartë virusi i gripit, kryesisht i tipit Influenca A. Kulmi i rasteve me grip pritet të arrihet në gjysmën e dytë të janarit dhe në gjysmën e parë të muajit shkurt. Sipas kalendarit të punës për vitin shkollor 2025/2026, nxënësit pritet të kthehen në bankat shkollore më 20 janar./ Alsat.mk

