Një pacient 69-vjeçar ndërroi jetë dje në Klinikën e Sëmundjeve Infektive nga gripi, tek i cili u konfirmua laboratorikisht gripi A.

Pacienti, siç informoi drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Fadil Cana, kishte sëmundje komorbide dhe nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal, megjithëse ishte në grupin e rrezikuar.

– Pacienti u soll në një gjendje të përgjithshme jashtëzakonisht të rëndë me bronkopneumoni të zhvilluar masive. Ai u trajtua menjëherë nga ekipi mjekësor në njësinë e kujdesit intensiv, u vendos në ventilim mekanik, por pavarësisht të gjitha masave të marra, pacienti, për fat të keq, vdiq. Duhet theksuar se pacienti kishte sëmundje të shumta komorbide: sëmundje pulmonare obstruktive kronike, kardiomiopati dhe sëmundje të tjera – tha Dr. Cana.

Pacienti, tranmseton Lideri.mk, është nga brendësia e Maqedonisë. Simptomat e tij zgjatën pesë ditë para se të shtrohej në spital.

Në Klinikë, siç informon Cana, aktualisht janë të shtruar në spital rreth 30 pacientë me grip. Prej tyre, disa kanë një pasqyrë klinike më të lehtë dhe të tjerë një pasqyrë më të rëndë, disa prej të cilëve janë në mbështetje me oksigjen. Një pacient është në ventilim mekanik, si rast më i rëndë.

Kjo është viktima e dytë e gripit këtë sezon, pasi një pacient 75-vjeçar vdiq javën e kaluar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup.

sqShqip