Greqi, flakët nisen drejt zonave të banuara në Athinë
Flakët e zjarreve që janë ndezur në zonat rreth Athinës po përparojnë drejt kryeqytetit grek, duke kërcënuar banesat e disa zonave të qytetit, ku mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Shërbimet e shpëtimit dhe zjarrfikësit janë angazhuar në operacionet e shuarjes së flakëve që nga e marta, dhe që nga orët e para të së mërkurës, 5 avionë zjarrfikës dhe 9 helikopterë janë shtuar.
Më shumë se 500 zjarrfikës po punojnë për të shuar zjarret në ditët kur Greqia po kalon valën më të keqe të të nxehtit në dekada, me temperaturat në disa pjesë të vendit që kërcënojnë të arrijnë 45 gradë. Në orët më të ftohta të mëngjesit, helikopterë dhe aeroplanë me fluturim të ulët u dërguan për të hedhur ujë në pyllin e djegur rreth Tatoi, 20 kilometra në veri të qytetit.
“Ekipet tokësore kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ne nuk kemi humbur njerëz. Shtëpitë do të rindërtohen dhe me kalimin e kohës pylli do të rritet përsëri – tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke vizituar një qendër të kontrollit të lëvizshëm në zonë.