May 17, 2024
Maqedoni

GREKO për RMV-në: 14 rekomandime të implementohen kënaqshëm, 4 pjesërisht, një mbetet i paimplementuar

Maqedonia e Veriut shënon përparim në zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i raundit të katërt të vlerësimit të Grupit të Shteteve për Parandalimin e Korrupsionit (GREKO) të Këshillit të Evropës, thuhet në raportin e dytë për vendin, sa i përket zbatimit të rekomandimeve për parandalimin e korrupsionit mes deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në shtojcën e raportit, vlerësohet se 14 nga 19 rekomandimet e dhëna janë zbatuar në masë të kënaqshme, katër janë zbatuar pjesërisht dhe vetëm një nga rekomandimet nuk është zbatuar. Në raport, GREKO vë në dukje progresin në lidhje me racionalizimin e Kodit të Sjelljes Etike të Deputetëve.

GREKO shpreh keqardhjen që nuk ka përmirësim në drejtim të sistemit të sanksionimit të parashikuar nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit. Në fushën e gjyqësorit, GREKO rithekson shqetësimin e tij për anëtarësimin e Ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor, ndërsa për prokurorët, i vetmi rekomandim i mbetur ka të bëjë me zgjerimin e gamës së sanksioneve të disponueshme për shkeljet disiplinore, ku theksohet se autoritetet maqedonase kanë paralajmëruar se do të merren parasysh me rastin e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Prokurorinë Publike.

Sipas GREKO-s, vendi deri më tani nuk ka zbatuar vetëm rekomandimin për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit nga “ndikimi i papërshtatshëm politik” dhe për të hequr anëtarësimin e Ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor sipas detyrës zyrtare.