May 4, 2024
Maqedoni

Gratë e rajonit “pushtojnë” qytetin e Ohrit

Mijëra gra nga Maqedonia, Serbia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi shfrytëzuan festën e sotme për të vizituar Ohrin. Hotelet thonë se këtë fundjavë disa prej tyre janë mbushur me 80% të kapaciteteve kurse rezervime të shumta ka edhe në restorante.

Dita ishte e veçantë për rreth 50 zonja nga Kroacia të cilat morën si dhuratë perla të Ohrit. Ata u befasuan nga mikpritja. Disa prej tyre ishin për herë të parë në Ohër, ndërsa të tjerët na thanë se kanë qenë disa herë. Shprehen se janë këtu për fundjavë të vazhduar kurse rekomandimi kryesor ishin komentet e mira turistike dhe rekomandimet nga miqtë që kishin qenë më herët.

“Jam shumë e befasuar. Nuk është hera ime e parë në Maqedoni. Është hera ime e katërt. Do ta mbaj këtë varëse. Kur të kthehem do të mburrem se e kam marrë si dhuratë për ditëlindje”, tha Lubica Milloshin- turiste nga Kroacia.

“Çdo grup nga Kroacia ka komente shumë të mira për Ohrin… Kjo mirësi, ky diell, ky mentalitet i njerëzve, kjo është ajo që na tërheq këtu”, u shpreh Svetllana Modriçiq- udhëheqëse turistike nga Kroacia.