May 14, 2024
Rajon - Botë

Gra e fëmijë në mesin e 70 të vrarëve nga bombardimi i kolonës në Gaza

Foto: AP

Të paktën 70 persona, në mesin e tyre gra e fëmijë, kanë vdekur kur kolona me automjete është bombarduar në Gaza. Mijëra palestinezë janë duke u larguar nga veriu në jug të Gazas me urdhër të Izraelit. Autoritetet palestineze kanë thënë se në mesin e të vdekurve ka fëmijë dy-vjeçar.

Kolona e automjeteve që po lëvizte në drejtim të jugut të Gazas është goditur me raketa, duke lënë të vrarë 70 persona, në mesin e tyre gra e fëmijë. BBC-ja ka konfirmuar se bombardimi ka ndodhur në rrugën Salah-al-Din; një prej dy rrugëve të evakuimit nga veriu i Gazas në drejtim të jugut.

Rruga ishte e ngarkuar me automjete, pasi palestinezët ishin urdhëruar nga forcat izraelite që të lëshonin shtëpitë e tyre dhe të largoheshin në drejtim të jugut. Shumica prej të vrarëve janë gra e fëmijë, të cilët ishin nga dy deri në pesë vjeç.

“Bombarduan kolonën, ambulancën, të gjithë. Bombarduan njerëzit e zhvendosur. Janë nga 150 deri në 200 shehidë”, ka thënë një i mbijetuar i bombardimit të kolonës.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se 70 persona kanë vdekur në vend teksa ka fajësuar Izraelin për sulmin.

“Kjo foshnjë është personi i panjohur 101. Është shpëtuar në njërën nga masakrat nga pushtuesit në veri të Gazas. Nuk dihet nëse prindërit e tij janë të gjallë a të vdekur. Ai është në spital dhe me shifrën 101. Kjo shifër do të thotë se 100 të tjerë janë të paidentifikuar para tij”, ka thënë gazetari Ahmad Hijazi nga Gaza.

Izraeli të premten ka urdhëruar 1.1 milion palestinezë që të largohen nga veriu i Gazas dhe mijëra prej tyre kanë ikur me automjete ose në këmbë.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se thirrja për evakuim masiv është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Ndaj evakuimit të palestinezëve nga veriu i Gazas kanë reaguar Katari dhe Arabia Saudite. Dy shtetet arabe kanë kundërshtuar zhvendosjen me forcë të palestinezëve.

Më shumë se 2 mijë e 200 palestinezë kanë vdekur nga bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës që nisën në shenjë hakmarrjeje për sulmet e Hamasit në qytetet jugore të Izraelit. Nga sulmet e Hamasit kanë vdekur 1 mijë e 300 izraelitë.

Ndërkohë, të shtunën kanë vazhduar raportimet se Izraeli është duke bërë gati ushtrinë për ofensivën tokësore. Qëllimi i operacionit të quajtur “Shpatat e hekurta” është edhe më i madh se çfarëdo operacioni ushtarak që ishte planifikuar në Gaza më parë. Pushtimi tokësor në Rripin e Gazës do të përfshinte luftimet urbane dhe do të rrezikonte edhe më shumë popullsinë civile.

Ushtria izraelite gjithashtu ka si detyrë edhe shpëtimin e së paku 150 pengjeve, të cilët nuk dihet se ku po mbahen në Gaza.

Herzi Halevi, shef i stafit në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, ka premtuar se do të “shpërbëjë” Hamasin. Mirëpo, njohësit e zhvillimeve në Lindjen e Mesme kanë thënë se Izraeli do të dështojë me këtë mision.

“Nuk mendoj se Izraeli do ta vrasë çdo anëtar të Hamasit, sepse është ide e ekstremizmit islam”, ka thënë analisti ushtarak Amir Bar Shalom. “Mirëpo kështu mund të dobësohet edhe kapaciteti operacional i Hamasit”, ka thënë ai.