“Shenjat paralajmëruese janë të folurit e paqartë, shtrembërimi i fytyrës dhe paraliza në njërën anë të trupit – në krah ose këmbë. Pacienti duhet menjëherë të dërgohet në institucionin më të afërt shëndetësor, gjegjësisht në Klinikën e Neurologjisë”, theksoi Arsovska
Besa IBRAIMI
Shkup, 3 nëntor – Goditja në tru mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe paaftësisë afatgjatë në vend, ndërsa mjekët theksojnë se shumë raste mund të parandalohen me një stil jetese të shëndetshëm dhe me kontrolle të rregullta mjekësore. Me këtë rast Klinika Universitare e Neurologjisë në Shkup thotë se dita e hapur për qytetarët, ku u ofruan ekzaminime falas Doppler të arteries karotide, ka qenë e suksesshme.
Sipas të dhënave të Klinikës, çdo vit në Maqedoninë e Veriut regjistrohen rreth 5000 raste të reja të goditjeve në tru, ndërsa vendi renditet ndër shtetet me nivel mesatar të incidencës dhe prevalencës. “Kemi rreth 200 deri në 300 raste të goditjeve në tru për 100.000 banorë, ndërsa prevalenca është nga 500 deri në 600 për 100.000. Asnjë moshë nuk është e kursyer – goditja mund të ndodhë edhe në fëmijëri”, tha prof. dr. Anita Arsovska, shefe e Departamentit të Neurologjisë së Urgjencës në Klinikën Universitare të Neurologjisë. Ajo theksoi se reagimi i shpejtë është jetik, pasi çdo minutë ka rëndësi për shpëtimin e jetës dhe ruajtjen e funksioneve të trurit.
“Shenjat paralajmëruese janë të folurit e paqartë, shtrembërimi i fytyrës dhe paraliza në njërën anë të trupit – në krah ose këmbë. Pacienti duhet menjëherë të dërgohet në institucionin më të afërt shëndetësor, gjegjësisht në Klinikën e Neurologjisë”, theksoi Arsovska. Në Klinikë, tregon ajo, trajtohen madje pacientë mbi moshën 14 vjeç, ndërsa rastet e moshave të reja po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, sipas mjekëve.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ndërkohë ka përmendur rëndësinë e parandalimit dhe edukimit shëndetësor.
“Sistemi ynë shëndetësor nuk duhet parë vetëm si mekanizëm trajtimi, por edhe si sistem parandalimi. Ditë si kjo janë shumë të rëndësishme për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi mënyrën si të njohin simptomat, stilin e jetesës që duhet ndjekur dhe dietën që ndihmon në shmangien e sëmundjeve”, thotë Aliu, ndërsa shton se është i impresionuar nga përkushtimi i stafit të Klinikës dhe përmirësimet e brendshme që janë bërë për të optimizuar shërbimet neurologjike.
“Në një kohë të shkurtër, drejtoria ka arritur të organizojë një ngjarje të tillë ndërgjegjësuese dhe të modernizojë proceset e punës”, shtoi ai, ndërsa ka apeluar që kujdesi për trurin duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë, pasi parandalimi fillon me ne – me ushqimin e shëndetshëm, aktivitetin fizik, kontrollin e tensionit dhe shmangien e stresit e duhanit. (koha.mk)

