Gjysmëvjetori i dytë fillon më 23 janar, Shaqiri: Orët e humbura realizohen online

Gjysmëvjetori i dytë në vend se të fillojë me 18 janar është prolonguar për dy ditë dhe do të fillojë me 23 janar. Numri një i dikasterit të arsimit, Jeton Shaqiri, potencon se një vendim i tillë është marrë për shkak të funksionimit më të mirë të shkollave duke marrë parasysh se e enjtja është ditë feste.

Sa u përket orëve të humbura gjatë gjysmëvjetorit të parë disa janë kompensuar, por ka shkolla që po kompensojnë orët online në këtë periudhë.

“Orët që janë humbur në shkollat në të cilat ka pasur paralajmërime për bomba kam pasur takim në fundvit me drejtorët e shkollave, kemi marrë informacion se disa nga ato orë janë plotësuar dhe të tjerat po realizohen në këtë periudhë dhe janë në komunikim për të realizuar mësimin online, në ato shkolla ku ka pasur bomba të paralajmëruara në gjysmëvjetorin e parë.”, – deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.