Nga Gjykata Kushtetuese njoftojnë se në seancën e sotme, gjykatësit kanë vendosur që t’i hedhin poshtë të gjitha nismat për kontestimin e sistemit “Safe City”, përcjell TV21. Kjo do të thotë se sistemi mbetet në fuqi.

Në Kushtetuese u ngritën katër nisma që kontestojnë ligjshmërinë e sistemit në fjalë, një nga Aleanca për Shqiptarët-Taravari, një tjetër nga Aleanca për Shqiptarët-Sela dhe një nismë tjetër nga Ylli Paçuku, si student i Fakultetit Juridik, që mbështetej nga BDI.

Gjykata Kushtetuese i refuzoi iniciativat e deputetëve Ziadin Sela, si dhe atë të Arben Taravarit, të cilat kishin të bënin me Ligjin për kundërvajtje në komunikacion, i njohur si “Safe City”. Në iniciativat thuhej se zgjidhjet e reja për evidentimin elektronik të kundërvajtjeve në komunikacion krijojnë pabarazi, pasi sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe se mesazhet që pranohen në rast të kundërvajtjeve në komunikacion duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe.

Gjykatësi Naser Ajdari tha se duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria dhe t’i rekomandohet Kuvendit që të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për kundërvajtje. Me qëndrim të kundërt ishte gjyqtarja raportuese Ana Pavllovska-Daneva, e cila tha se në vetë ligjin është e përcaktuar mirë në cilat raste zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe se nuk ka nevojë të hapet procedurë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë, ndërsa me qëndrim të ngjashëm ishte edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

sqShqip