Gjykata Kushtetuese ka bllokuar nismën e avokatit Valentin Pepelugoski për heqjen e gjuhës shqipe nga deklaratat e produkteve. Në Kushtetuese nuk u sigurua shumicë votash për ta rrëzuar ose mbështetur iniciativën e tillë.
Votimi ishte baras, katër vota pro, katër kundër. Katër gjyqtarë nuk u pajtuan që të hiqen pjesë nga 6 nenet e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, me të cilat rregullohet përdorimi i shqipes në deklaratat e produkteve, e të cilat janë vendosur si rrjedhojë e harmonizimit me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Katër gjykatësit e tjerë që pajtohen me Pepelugoskin, thonë se nenet janë në kundërshtim me Amendamentin 5 të Kushtetutës, i cili e rregullon çështjen e përdorimit të gjuhës së qytetarëve që flasin së paku 20% e qytetarëve.
“Ky është obligim i shtetit dhe institucioneve, jo edhe i personave privat. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i drejtuar për rregullimin e marrëdhënies së gjuhës mes njësive shtetërore dhe personave juridikë me autorizime publike të interesit publik dhe nuk e përfshin mënyrën e komunikimit mes personave privatë si kufizim i lirisë së tregut dhe sipërmarrjes.”, – thonë nga Iniciativa e Valentin Pepelugoskit në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar pasi me lëndën do të vendoset në ndonjërën prej seancave të radhës. Ndërkohë mbetet në fuqi obligimi për prodhuesit dhe tregtarët privatë që deklaratat e produkteve së bashku me dokumentacionin shoqërues, përveç në maqedonisht, t’i kenë edhe në shqip, në të kundërtën duhet të paguajnë gjoba. Konsumatori shqiptar dhe i komuniteteve të tjera ku janë mbi 20% duhet të informohen në gjuhën e tyre amtare për produktin që e blejnë dhe të drejtat e tyre. Dispozitat ligjore deri më tani nuk janë respektuar me përpikshmëri.

