Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski premtoi masa afatshkurtra për t’u përballur me ndotjen e ajrit, ndërtimin e “Luna Parkut”, masa ndaj ndërtimeve pa leje, si dhe investime në infrastrukturë. Me këtë rast veçoi zgjerimin e bulevardit “Cvetan Dimov” në komunën e Çairit, transmeton Lideri.mk.

“Unaza të reja, bulevard të ri, zgjerimin e bulevardeve ekzistuese, si bulevardi Cvetan Dimov në Çair, i cili është në plan për ta filluar me kolegun që sot është i pranishëm”, – theksoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke iu drejtuar kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti i cili ishte prezent në takim.

Gjorgjievski, thirri mbledhjen e parë të Trupit Koordinues të Kryetarëve të 10 Komunave të kryeqendrës. Me këtë rast, ai premtoi sanimin e gjendjes në ndërmarrjet publike komunale që kanë të bëjnë me mbeturinat apo transportin publik, përkatësisht sigurimin e 80 autobusëve të rinj, me qëllim të normalizimit të transportit publik në kryeqendër.

“Autobusët e rinj që i presim t’i marrim në fillim të vitit të ardhshëm, me përkrahjen e Qeverisë, por edhe krijimin e sistemit që ne vet do të mund ta realizojmë që nënkupton BRT sistemi, do të ndikojë seriozisht edhe në cilësinë e ajrit në Shkup, por edhe normalizimin e procesit të qarkullimit të qytetarëve tanë.”, – deklaroi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Sa i përket largimeve nga puna të rreth 500 personave, kreu i Shkupit tha se ata nuk janë larguar për t’u punësuar të tjerë, por për shkak se kanë keqpërdorur sistemin, prandaj ata duhet të përgjigjen dhe t’i kthejnë paratë e qytetarëve.

sqShqip