May 12, 2024
Maqedoni

Gjinekologjia e Çairit rinovohet me donacione! Deri në fund të vitit pritet të ketë 4 mijë foshnja të lindura

Kështu duket Reparti i urgjencës në Gjinekologjinë “Nënë Tereza” në Çair pasi u rinovua tërësisht. Këtë e ndihmuan tre kompani private me një shumë prej 8 milion denarësh. Drejtori i këtij Spitali Bashkim Ismaili shprehi falënderime për donacionin dhe tha se tani në këtë klinikë kushtet janë njësoj sikur në spitalet private për lindje. Mes tjerash ai bëri të ditur se dy vitet e fundit është rritur numri i lindjeve në këtë spital. Deri në fund të vitit numri i foshnjave të lindura pritet të arrijë në 4 mijë.

“Viti kaluar ishte vit në espazion të pandemisë, nuk ishin të kontrolluara dhe nuk ishin numra që duhet të merren për bazë. Në krahasim me dy vitet e kaluara, ne kemi rritje të numrave, këtë vit nëse vazhdon ky trend, do arrijmë deri 4 mijë”, tha Bashkim Ismaili, drejtor i Gjinekologjisë, Çair.

Drejtori Ismaili tha se frika nga virusi Corona është larguar mes pacienteve, tani më shumë dominon kujdesi dhe mbrojtja.

“U mësuam të jetojmë me pandeminë. Nuk është si në fillim frika, tani qytetarët janë më të përgatitur, kemi protokolle për pacientët para se t’i pranojmë. Tani qytetarët nuk po frikësohen nga pandemia por më shumë po ruhen”, theksoi Bashkim Ismaili, drejtor i Gjinekologjisë, Çair.

Njëjtë edhe para tre vitesh në Spitalin gjinekologjik “Nëna Terezë” në Çair tërësisht u rinovua pjesa për anestezion dhe mjekim intensive, dhe dy salla operacioni po me donacione nga tre kompani, të cilat ndihmuan me gjashtë milionë denarë.