Rajon - Botë

Gjermania do të vazhdojë “përpjekjet diplomatike” për të parandaluar luftën rajonale në Lindjen e Mesme

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka deklaruar se qeveria gjermane do të vazhdojë përpjekjet e saj diplomatike për të parandaluar që lufta e Gazës të kthehet në një konflikt të madh rajonal, transmeton Anadolu.

“Së bashku me SHBA-në, aleatët tanë evropianë dhe partnerët tanë në rajon, ne po bëjmë gjithçka që mundemi në mënyrë diplomatike për të parandaluar që kjo të kthehet në një zjarr të madh”, tha Scholz.

Që nga përshkallëzimi i konfliktit midis Palestinës dhe Izraelit muajin e kaluar, Scholz ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin dhe Hezbollahun që të mos ndërhyjnë në konflikt.

“Vendi i Gjermanisë është në anën e Izraelit”, tha Scholz, duke shtuar se “do ta mbështesim Izraelin, kudo që të jetë e nevojshme, në ushtrimin e të drejtës për vetëmbrojtje”.

Qeveria gjermane thotë se mban përgjegjësi historike për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste të vendit dhe krimeve të kryera kundër hebrenjve.

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, sot fillon turneun e saj në Lindjen e Mesme në kuadër të përpjekjeve diplomatike të Berlinit për të “parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës”.

“Ministrja e jashtme Baerbock planifikon të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Izraelin”, tha ministria gjermane në një njoftim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Konflikti u përshkallëzua në mënyrë dramatike pasi krahu ushtarak i Hamasit kreu një ofensivë të paprecedentë mbi Izraelin më 7 tetor, duke lëshuar mijëra raketa dhe duke dërguar qindra luftëtarë në qytetet izraelite.

Izraeli u përgjigj me një fushatë të pandërprerë të sulmeve ajrore dhe artilerie në Gaza dhe së fundmi zgjeroi operacionet e tij tokësore për të çrrënjosur Hamasin. Infrastruktura civile, duke përfshirë spitalet dhe kampet e refugjatëve, ishin gjithashtu në shënjestër të forcave izraelite.

Të paktën 10.812 palestinezë, duke përfshirë 4.412 fëmijë dhe 2.981 gra, janë vrarë që atëherë.

Së fundmi, një grup ekspertësh i Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar se palestinezët janë në një “rrezik të madh të gjenocidit” pasi qeveria izraelite mban nën rrethim të plotë Rripin e Gazës.

Që nga shpërthimi i konfliktit, sipas autoriteteve izraelite, rreth 1.600 izraelitë janë vrarë dhe mbi 5.400 të tjerë janë plagosur në sulmet e Hamasit.