May 12, 2024
Rajon - Botë

Gazë, vazhdon furnizimi me ndihma

Avionët ushtarakë të Egjiptit dhe Jordanisë kanë vazhduar me dërgimin e ndihmave humanitare mbi pjesën veriore të Rripit të Gazës. Operacioni është në vijë me iniciativën e Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për të krijuar një korridor ajror për furnizimin e popullatës me ushqime dhe ilaçe. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit inspektoi korridorin e planifikuar detar për në enklavë përmes të cilit planifikohet dërgimi i ushqimeve dhe furnizimeve mjekësore.

“Do ta sjellim ndihmën përmes linjës detare që është e koordinuar me Shtetet e Bashkuara, me ndihmën e Emirateve dhe do t’ia dorëzojmë palës civile. Ne do të ofrojmë ndihmë për organizatat ndërkombëtare.”, – deklaroi ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Joav Galant.

E perderisa autoritet izraelite patrullojnë furnizimin me ndihma nga deti, peshkatarët nga Gaza akuzojnë autoritetet se po I sulmojnë dhe po e vendosin veten në rezik, edhe gjatë sigurimit të kafshatës së bukës.

“Anijet izraelite po na qëllojnë, por ne duhet të punojmë. Ata nuk po na lënë të qetë, para dy dite isha për peshkim, por ishte shumë e vështirë për shkak se gjuajnë drejt nesh. Ne rrezikojmë jetën tonë për të marrë ushqim.”, – u shpreh peshkatari nga Gaza, Saed Jehja Masarie.

Një raund i ri i bisedimeve të armëpushimit të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara po mbahet në Kajro. Hamasi ka akuzuar Izraelin për mossukses që të arrihet armëpushim përpara muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Armiku deri më tani i është shmangur dhënies së garancive dhe obligimeve, veçanërisht për armëpushimin, që nënkupton fundin e luftës agresive në Rripin e Gazës. Kjo do të thotë se ata duan të kthejnë të burgosurit dhe të rifillojnë luftën mbi popullin tonë edhe në territorin tonë.”, – theksoi lideri i Hamasit, Ismail Hanije.

Vazhdojnë protestat për t’i dhënë fund luftës në Tel Aviv dhe në mbarë botën. Demonstruesit gjithashtu mbyllën arterien kryesore të trafikut në Hollivud rreth 1,6 kilometra larg Teatrit “Dolby”, ku u mbajt edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve Oskar.

“Ne jemi këtu, sepse duam t’i bëjmë thirrje administratës amerikane që të ushtrojë sa më shumë presion mbi të gjitha palët e përfshira në këtë situatë të çmendur që vazhdon prej shekujsh apo më shumë se 150 ditë. Është e rëndësishme që të bëhet sa më shumë presion që të arrihet një marrëveshje.”, – tha një protestues.

Izraeli i shpalli luftë Hamasit më 7 tetor, pasi grupi militant vrau rreth 1,200 civilë dhe mori 250 pengje. Ofensiva ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës zhvendosi rreth 80% të popullsisë prej 2,3 milionë banorësh.