April 27, 2024
Rajon - Botë

Gjermani, sulmohet një nxënëse në shkollë për shkak të gjerdanit me mbishkrimin “Allah”

Një nxënëse 15-vjeçare është sulmuar në një shkollë në Gjermani pasi mbante një gjerdan ku shkruante “Allah”, transmeton Anadolu.

Incidenti ishte i fundit në një varg sulmesh islamofobike që nga përshkallëzimi i konfliktit izraelito-palestinez muajin e kaluar.

Policia gjermane tha se sulmi ndodhi në një shkollë fillore në Wilhelmstadt të Berlinit të premten pasdite.

“Të paktën pesë shokë të klasës sulmuan nxënësen në tualetin e shkollës, ia hoqën gjerdanin nga qafa dhe e sulmuan fizikisht”, tha policia.

Mësuesit kanë ndërhyrë dhe kanë ndihmuar vajzën e sulmuar, e cila më pas është dërguar në spital.

Policia tha se po hetonte nëse sulmi ishte i motivuar fetarisht.

Komunitetet muslimane në Gjermani kanë paralajmëruar për një rritje të krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve në javët e fundit, të nxitura nga propaganda e politikanëve të ekstremit të djathtë dhe mbulimi i njëanshëm mediatik i konfliktit në Gaza.

Me një popullsi prej mbi 84 milionë banorësh, Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Nga afro 5.3 milionë muslimanë në vend, 3 milionë janë me origjinë turke.