Tetovë, 13 janar – Numri i personave me grip sezonal në Tetovë dhe gjithnjë është në rritje. Sipas të dhënave nga Instituti për Shëndet Publik në Tetovë, në fillim të këtij viti ka dukshëm më shumë persona të prekur me gripin sezonal. Gjithsej në javën e parë të muajit janar të këtij viti janë regjistruar 339 persona me grip sezonal. Arsyet për këtë numër kaq të lartë të të prekurve me grip, sipas mjekëve, janë festat e fundit, ku ka shumë ahengje dhe grumbullohen shumë njerëz, temperaturat e ulëta e kështu me radhë. Krahas kësaj, gjatë fundit të dhjetorit, numri i frekuentimit të njerëzve është rritur për shkak edhe të kthimit të mërgimtarëve, prandaj edhe mundësia për t`u infektuar me grip ka qenë më e madhe.

“Nëse e krahasojmë muajin janar të vitit 2025 me janarin e vitit 2026 dallimi është i madh. Në javën e parë të muajit janar në vitin 2025, me grip kemi pasur 23 raste, ndërsa në javën e parë të këtij muaji kemi 339 raste. Këto të dhëna i kemi marrë nga mjekët amë. Pra, kemi 15 herë më shumë raste me grip sezonal për dallim nga viti i kaluar. Ky trend do të vazhdojë sepse ende nuk e kemi arritur kulmin pasi kulminacioni i gripit sezonal është në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt. Prandaj, ekziston mundësia që ky numër të rritet ende”, thotë epidemilog Naim Skenderi.

Në ndërkohë, nga Instituti për Shëndet Publik në Tetovë bëjnë të ditur se gjithsej në Tetovë janë dhënë mbi 4000 doza të vaksinave kundër gripit sezonal. Megjithatë, sipas mjekëve, për të pasur një imunitet më të madh në mesin e popullatës duhet të rritet numri i personave që marrin vaksinën.

“Përmes sistemit Termini im, në Tetovë deri më tani janë dhënë 4250 doza. Kurse prej vaksinave me pagesë apo komerciale janë dhënë 116 doza. Ky numër është i kënaqshëm për neve. Kemi një dallim të vogël prej viteve të kaluara dhe mendoj se si numër është i kënaqshëm për sa i përket imunizimit të përgjithshëm. Sa më shumë vaksina të merren aq më mirë është, sidomos për kategoritë e rrezikuara si personat mbi moshën 65 vjeçare, gratë shtatzëna, personat me imunitet të dobët, personat me sëmundje kronike. Për këto kategoritë është shumë e rekomandueshme që ta marrin vaksinën. Ky numër varion nga sezoni në sezon dhe nuk mund të themi se kemi një imunitet kolektiv, nuk mund të përcaktojmë me këto numra, për shkak se tek gripi sezonal ka shumë faktorët që e përcaktojnë prandaj tek kjo kategori duhet që vaksina të merret”, deklaroi Naim Skenderi, epidemiolog.

Ndërkaq, nga Instituti për Shëndet Publik thonë se të dhënat për gjendjen e gripit duhet të dalin këtyre ditëve dhe nëse gjendja përkeqësohet atëherë do të rekomandojnë që të shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit nëpër shkolla. Nga Ministria e Shëndetësisë kohë më parë kanë qenë kategorik që nuk do të ketë shtyrje të fillimit të gjysmëvjetorit pavarësisht gjendjes shëndetësore. (koha.mk)

sqShqip