Forenzikët kanë konstatuar se skeleti i gjetur verën e kaluar në një bodrum të një shtëpie në lagjen Forest të Brukselit i përkiste shtetasit të Maqedonisë, Rexhep Rahmanovski, i cili figuron si i zhdukur që nga viti 2003, njoftoi Policia Federale belge, përcjell TV21. Skeleti u gjet gjatë rinovimit të shtëpisë në korrik të vitit 2025, pas çka u dorëzua për analizë forenzike.

Pas analizës, u konstatua se skeleti i përket Rahmanovskit, i lindur në Maqedoni në vitin 1976. Sipas dosjes policore, Rahmanovski është parë për herë të fundit mbrëmjen e 16 korrikut 2003, kur kishte lënë vendin e tij të punës. Që nga ajo kohë iu humb çdo gjurmë dhe deri në identifikimin e skeletit të tij, policia nuk kishte asnjë informacion se çfarë kishte ndodhur me të.

Policia njofton se, bazuar në gjetjet forenzike, është lëshuar urdhër për bastisjen e shtëpisë, me shpresën se do të sigurohen më shumë informacione për atë që i ka ndodhur viktimës.

Policia belge po ashtu u bën thirrje për bashkëpunim dëshmitarëve të mundshëm ose kujtdo që mund të ofrojë çfarëdo informacioni për Rahmanovskin ose për zhdukjen e tij.

Në njoftimin e policisë theksohet se çdo informacion i dorëzuar do të trajtohet “në mënyrë diskrete”.

sqShqip