Maqedoni

Gjarpër në menzën e konviktit të studentëve “Stiv Naumov”

Pasditen e sotme në menzën në konviktin e studentëve “Stiv Naumov” në lagjen Autokomanda në Shkup ka hyrë një gjarpër. Në fotografitë që studentët që jetojnë në konvikt i kanë dërguar pranë redaksisë së Meta.mk, mund të shihet gjarpri i mbërthyer pas derës së hyrjes të objektit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Drejtori i Konviktit Shtetëror të Studentëve Shkup (KSHS Shkup), Viktor Velevski, për Meta.mk ka konfirmuar se në menzën e studentëve ka hyrë një gjarpër dhe se janë në dijeni për ngjarjen.

Mëngjesin e sotëm në faqen „Studentarija“ në Instagram u publikuan foto në të cilat mund të shihet bari i pakositur tek barakat që janë në kuadër të konviktit të studentëve “Stiv Naumov”.

Për Meta.mk Velevski tha se punëtorët e institucionit janë duke e kositur barin dhe për shkak të vëllimit të shtuar të punës kanë kërkuar ndihmë nga Ndërmarrja Publike Komunale “Gazi Baba”.

“Kositëm, kemi kërkuar ndihmë nga NPK “Gazi Baba”, punojmë çdo ditë. Bie shi, pastaj ngroh dielli dhe bari rritet. Kaq janë kapacitetet e konviktit”, thotë drejtori i KSHS Shkup.

Ai shtoi se është e nevojshme që të mirëmbahet terreni edhe rreth konviktit të studentëve “Stiv Naumov”, sepse vihetnë rrezik siguria e të gjithë qytetarëve të komunës, e jo vetëm e studentëve që janë të vendosur në konvikt.

Kjo nuk është hera e parë që në këtë konvikt të shfaqet një gjarpër. Për shkak të afërsisë me Parkun Pyjor të Gazi Babës, gjatë viteve të kaluara këta zvarranikë janë parë disa herë si brenda ashtu edhe përreth ambienteve të konviktit.