May 21, 2024
Kolumna

Gjakun tim dhe të shokëve të mi kurrë nuk ia fala askujt

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

Gjaku dhe jeta i falen vetëm atdheut e lirisë dhe askujt tjetër. Atdhetari i vërtetë kurrë nuk lejon që dikush t`i shkelë për asnjë arsye mbi gjakun e tij.
Në vazhdim L. Arnori-Orizarja do të vazdojë të rrëfejë për një ngjarje shumë të dhimbshme, kur vetëm fuqia e luftëtarëve do të vendoste në ato çaste që të mbeteshin gjallë ose të vdisnin ai dhe shokët e tij atje te “Pika e vdekjes” nën fshat tek vendi i quajtur “Përroi i madh”.
Atë ditë të 10 qershorit të vitit 2001 zhvillohej një betejë shumë e ashpër. Ai tregon se si ata ushtarët e UÇK-së gjendeshin në pozicionet e tyre, ndërsa tanket e ushtrisë dhe policisë së pushtetit të atëhershëm ishin afruar shumë afër fshatit.
Ai rrëfen se nuk i kishim më larg se 1000 metra dhe luftonim ballë për ballë. Aty ishim ne e jo ata që sot rrëfejnë për luftën, pasi luftën për asnjë minutë nuk e kishin parë me sy, ata që na shanin neve dhe nënat tona se ua prishëm rehatinë, ata që sot nëpër parti dhe partiçka krokasin për atdhetarizëm, brohorasin për UÇK-në dhe rendin pas pushtetit.
Një gjë të tillë, kurrë nuk munda ta kuptoj as nuk munda ta gëlltis, sepse nuk më lejon gjaku im dhe gjaku i shokëve të mi, të bie pre e njerëzve të tillë që lëvdohen me gjakun e luftëtarëve të lirisë, sepse ata vetë nuk kanë derdhur gjak, por kanë përfituar poste me gjakun tonë.
Kjo ishte një natë pa gjumë pasi tërë natën dëgjova rrëfimet e L. Arnorit që një ditë t`i hedh në letër, për t`ua përplasur në fytyrë të vërtetën demagogëve dhe hipokritëve.