Katër vjet burg për Muhsin Arifin, ish drejtorin e Klinikës së Geriatrisës në Shkup, i cili akuzohet për marrje ryshfeti. Gjykata Penale shpalli vendimin edhe për bashkëpunëtorin e tij në veprën penale, përkatësisht për të akuzuarin e dytë Blerim Ameti, i punësuar në Klinikën e Geriatrise në atë kohë, i cili u dënua me një vit e 10 muaj burg.

“I akuzuari Muhsin Arifi dënohet me burg në kohëzgjatje prej 4 viteve, në të cilën dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i akuzuari Blerim Ameti dënohet me burg prej një viti e 10 muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Si rrethana rënduese gjykata vlerësoi llojin, karakterin dhe peshën e veprave penale si dhe mënyrën e kryerjes së tyre”, deklaroi Lenka Davitkova, gjyqtare.

Arifi u akuzua vitin e kaluar për marrje ryshfeti, me qëllim që të lejonte shtruarjen në spital të një personi në gjendje të rëndë shëndetësore, gjë që në fakt ishte detyrë e tij zyrtare si drejtor i klinikës. Blerim Ameti u akuzua për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa u arrestua në vendngjarje duke marrë një pjesë të shumës së dakorduar, të dedikuar për Arifin, në vlerë prej 20.000 euro. Si Arifi, ashtu edhe Ameti gjatë procesit gjyqësor mohuan fajin. /Alsat.mk

sqShqip