Gazetari Naser Selmani ka bërë të ditur se sot në mëngjes ka zbuluar se një person i panjohur ka dëmtuar me thikë gomën e makinës së tij të parkuar para ndërtesës ku jeton në Shkup.

“Nuk i kam borxh askujt dhe nuk kam konflikt me askënd. Rastin e paraqita në polici dhe njoftova personalisht ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, nga i cili kërkova zbardhjen e autorëve dhe inspiratorëve të këtij akti kriminal”, shkroi Selmani.

Ai tha se ministri i ka premtuar se policia do të punojë për zbardhjen e rastit. Selmani theksoi se është gazetar, qytetar i zakonshëm dhe anëtar i Lëvizjes “Bota Shqiptare”, duke nënvizuar se nuk është pjesë e asnjë partie politike.

Gazetari u bëri thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderëve të partive shqiptare të dënojnë sulmin, të cilin e cilësoi si akt të shëmtuar kundër lirisë së fjalës.

“Nëse mendoni se me metoda kriminale mund të më frikësoni, e keni gabim. Keni zgjedhur njeriun e gabuar”, shkroi ai, duke paralajmëruar se nëse brenda dy javësh organet e hetuesisë nuk zbulojnë autorët, do të publikojë dyshimet e tij për ata që qëndrojnë pas sulmit.

" "

Selmani tha gjithashtu se nëse institucionet nuk mbrojnë qytetarët, ai do të kërkojë mbrojtje nga organizatat ndërkombëtare, si dhe nga Shqipëria dhe Kosova, për gazetarët dhe shqiptarët e rrezikuar në Shkup. (INA)

sqShqip