Pa komentuar konkretisht deklaratat e fundit nënçmuese të kreut të Gjykatës Kushtetuese ndaj zbatimit të shqipes gjatë shkeljeve në trafik, kreu i Kuvendit Afrim Gashi, tha se bartësit e funksioneve publike duhet të bëjnë kujdes me deklarimet. Në takimin joformal me gazetarët, Gashi tha se gjithmonë ka ftuar në respekt reciprok.

“Secili bartës institucioni përgjigjet për deklaratat e veta. Natyrisht gjithmonë kam bërë thirrje për vetëdijesim dhe kujdes në deklarimet për raportet ndëretnike për shkak se është temë e ndjeshme dhe duhet të gjithë të kujdesemi për respektim reciprok”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Për dallim nga Gashi, Kostadinovski nuk ngurron asnjëherë të kritikojë punën e Kuvendit. Ai në disa raste ka thënë se ligjvënësi injoron rekomandimet e gjykatës.

Në kundërpërgjigje, Gashi thotë se çdo drejtues duhet të shohë institucionin e tij.

“Secili institucion, veçanërisht një nga më të rëndësishmit, Gjykata Kushtetuese, por edhe Kuvendi, ata për të cilët Kushtetuta përcakton kompetencat qartë duhet ta ushtrojë funksionin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Edhe ne përpiqemi që funksionin tonë ta ushtrojmë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren, por edhe të gjithë bartësve të funksioneve publike ua sugjeroj të njëjtën, secili të kujdeset për institucionin e tij. Mendoj se më shumë kohë duhet të kalojmë duke u kujdesur për institucionet që drejtojmë sesa të shikojmë oborrin e tjetrit”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Kostadinovski së fundmi e ka quajtur Kuvendin të padisiplinuar. Ai shpjegon se Gjykata ka nxjerrë vazhdimisht të ashtuquajturat vendime interpretuese, duke i dhënë ligjvënësit një afat për ta rregulluar ligjet. Megjithatë, sipas tij, parlamenti shpesh nuk ka vepruar mbi ato vendime dhe afatet kanë skaduar pa ndryshime në ligje. Si shembull, ai përmend Kodin Penal, ku Parlamenti kishte deri në dhjetë muaj për të reaguar.

“Është fakt i pakontestueshëm se kemi punë me një organ shtetëror të padisiplinuar kushtetues, siç është ligjvënësi ynë dhe atë e kemi të dëshmuar në shembuj konkret”, kishte thënë Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese (04.03.2026).

Ai e quan këtë mungesë respekti ndaj Kushte.tueses dhe thotë se nuk duhet të ketë më vendime interpretuese.

sqShqip