Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë brifingut të sotëm me gazetarët theksoi se ai mbështet idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta, respektivisht nuk preferon zgjedhje të parakoshshme parlamentare, përcjell TV21.
“Unë jam mbështetës i idesë për zgjedhje të rregullta. Miratim i rregullt i ligjeve dhe zgjedhje të rregullta. Mendoj se, konceptualisht duke folur, na mungon stabiliteti politik dhe ekonomik. Nëse gjithë kohën mbajmë zgjedhje të parakohshme, krijojmë një lloj çrregullimi politik dhe ekonomik. Mendoj se duhet të përpiqemi të përfundojmë mandatet dhe më pas qytetarët të na vlerësojnë për atë se sa kemi realizuar nga ajo që kemi premtuar në program. Në gjysmën e mandatit mund të thuhet se nuk e kemi përfunduar mandatin. Unë jam mbështetës i idesë për zgjedhje të rregullta, por për këtë vendosin 61 deputetë, dhe vullneti politik i deputetëve është ai që përcakton kur do të shkohet në zgjedhje,” deklaroi Gashi.
I pyetur nëse duhet të ekzistojë ose të shfuqizohet qeveria teknike, Gashi tha se nuk e sheh të arsyeshme të formohen qeveri teknike vetëm për të organizuar zgjedhje të parakohshme.
“Sa mbahem mend, atëherë sapo e kishim formuar partinë politike. Nëse kthehemi pas, ajo ishte një zgjidhje ad hoc për të kapërcyer atë krizë politike. Mendoj se si një qeveri stabile, si anëtare e NATO-s, nuk është e përshtatshme të formojmë qeveri teknike për të organizuar zgjedhje të parakohshme, aq më tepër që shohim se proceset zgjedhore, veçanërisht të fundit, po zhvillohen normalisht, pa vërejtje. Edhe dje u zhvilluan zgjedhjet, të gjithë u përgëzuan, askush nuk pati problem me rezultatin”, tha ai.

