Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim zyrtar në Vatikan me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.
Gjatë këtij takimi, palët u fokusuan në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të dialogut institucional.
Në qendër të diskutimeve ishin mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në disa sfera kyçe me interes të ndërsjellë, si:
Kultura dhe arsimi;
Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore;
Promovimi i vlerave të dialogut dhe tolerancës në një kohë sfidash globale.
“Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj ndërtimit të partneriteteve që kontribuojnë në stabilitet, bashkëpunim dhe afrimin ndërmjet popujve,” u shpreh Gashi pas takimit. Në takim ishte i pranishëm edhe deputeti i VLEN, Bekim Qoku. Ai tha se, paqja, solidariteti dhe kujdesi për njeriun duhet të mbeten vlera që i bashkojnë shoqëritë tona dhe forcojnë të ardhmen e përbashkët. (INA)

