June 21, 2024
Maqedoni

Gashi, Mexhiti, Kasami e Qoku vijojnë takimet në SHBA!

Tre krerët e Lidhjes Europiane për Ndryshim Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti si dhe këshilltari i kryeministrit Kurti për Maqedoni të Veriut, Bekim Qoku, po vazhdojnë me vizitat në Shtete e Bashkuara të Bashkuara, përcjell TV21. Së fundi në Uashington janë takuar me Edward Joseph, një nga ekspertët më të shquar amerikan për Ballkanin dhe, siç e quajnë, mik i dëshmuar i shqiptarëve.

Në njoftimin e LEN thonë se kanë diskutuar mbi sfidat dhe perspektivën e Maqedonisë së Veriut, por edhe të rajonit, si dhe kujdesin që duhet treguar aktorët politikë në hedhjen e hapave drejt një të ardhmeje më të sigurt për qytetarët tanë.

Një ditë më parë tre liderët dhe Qoku, kanë pasur një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, të cilin në njoftim e kanë quajtur “takim të rëndësishëm”, por pa specifikuar se me kë janë takuar. Thonë se dhe në këtë takim është theksuar se koalicioni i Lidhjes është në vijë të njëjtë me interesin e SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast liderët opozitarë shqiptarë i kanë informuar nikoqirët për aktualitetin politik në RMV, si dhe rolin konstruktiv që luan koalicioni për demokratizimin e vendit dhe integrimin e tij në BE, informojnë nga LEN.