May 5, 2024
Maqedoni

Gashi: Ishim çelësi për shpëtimin e kësaj Qeverie, oferta për të vazhduar ishte poshtëruese

Kryetari i partisë, Alternativa, Afrim Gashi, në një intervistë për portalin Press 24, ka thënë se kanë qenë pikërisht ata të cilët e kanë shpëtuar këtë qeveri një vit më parë, dhe kanë qenë çelësi për hapjen e negociatave me BE-në.
“Pa ne nuk do të kishte qeveri, sepse do të duhej të mbaheshin zgjedhjet, ndërsa pas zgjedhjeve me siguri Kovaçevski nuk do të ishte as zëvendësministër, e a do të angazhohej fituesi i zgjedhjeve të tilla për të njëjtat përcaktime strategjike, nuk e dimë. Megjithatë, në fund ne e paguam çmimin që të detyrohemi të dalim nga kjo qeveri ose, me fjalët tuaja, të dëbohemi. Në atë mënyrë, LSDM-ja na falënderoi dhe, për fat të keq, edhe faktorët e tjerë në vend heshtën për këtë praktikë të re në marrëdhëniet ndërpolitike. Nëse ky është standardi i ri i qeverisjes, atëherë askush nuk duhet të habitet për veprimet e ardhshme të subjekteve politike. Nuk mund të presësh marrëdhënie korrekte nga dikush që ishte korrekt me ty dhe ti ia ke kthyer me sjellje poshtëruese brutale”, ka thënë Gashi për Press24.
Ai tha se informacionet për hyrjen e ASH-së më tepër i kanë thithur nga mjetet e informimit sesa nga partnerët.
“Ata gjatë gjithë kohës silleshin si nuse “të virgjëra”, se nuk kishte asgjë serioze, se asgjë nuk do të ndodhte prej saj, derisa arritën në pikën e fundit që të na ofronin ofertë poshtëruese, që ishte metafora e divorcit. Kjo nuk është vetëm marrëdhënie jokorrekte, por më shumë se kaq – marrëdhënie joshembullore, standard i ri i keq i marrëdhënieve politike, që sigurisht do të ketë pasoja të paparashikueshme në skenën politike”, ka shtuar më tej Gashi.