May 16, 2024
Maqedoni

Gashi: Fitoren nuk e solla unë, atë e gjeta në Gostivar!

Koalicioni opozitar shqiptar VLEN mbajti sonte konventën promovuese për kandidatin presidencial Arben Taravarin.

Në tubimin në Gostivar, kreu i Alternativës Afrim Gashi kërkoi fitore plebishitare për koalicionin VLEN në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit.

“Duke e përgëzuar Dr. Arbenin për kandidimin, që këtu dua t’i falënderoj ata 10-12 mijë shqiptarë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij dhe t’i ftoj që këtij numri t’ia shtojmë edhe një zero. Bashkohuni me ne, se vetëm bashkë mund ta bëjmë ndryshimin. Na duhet një fitore me 120 mijë vota plebishitare, se vetëm ashtu i ka hije votës shqiptare”, tha Gashi.

Ai theksoi se kjo fitore e madhe kombëtare garanton përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Fitorja e tretë është fitorja e madhe kombëtare shqiptare, e cila garanton: integrim të pakompromistë të vendit në Bashkimin Europian, mirëqenie ekonomike me rroga të denja dhe standard të jetës, drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, arsim cilësor si detyrim për emancipimin e kombit, mbrojtje dhe afirmim të familjes tradicionale, si dhe mjedis të pastër jetësor”, deklaroi kreu i Alternativës.

Gashi tha gjithashtu se votuesi shqiptar si asnjëherë më parë tash ka mundësi të zgjedhë mes korrupsionit dhe virtytit të ndershmërisë, mes shthurjes morale dhe etikës, mes varfërisë dhe mirëqenies, mes shpërnguljes dhe vatrave stërgjyshore, mes integrimit në BE dhe bashkëpunimit me Vuçiqin.