Maqedoni

Fronti Europian: Në mënyrë jo të drejtë dhe me mbivotim u soll vendim për rivotim në Nj.Z 5 dhe 6

Elmi Aziri nga “Fronti Evropian” reagoi pasi KSHZ pranoi ankesat ku tentohet t’i merren dy deputet, duke e vlerësuar si të padrejtë dhe tendencioz.

“Në mënyrë jo të drejtë dhe me mbivotim si në kohëra të monizmit në KSHZ, u soll vendim për rivotim në disa vendvotime në zonën e 5 dhe 6, pikërisht në vendvotime ku fitues janë palët ankimuese, të cilët votuesit e tyre po i emërtojnë si hajdutë, duke poshtëruar kështu një elektorat të tërë. Ju informojmë se tashmë kemi alarmuar të gjitha institucionet përkatëse dhe faktorin ndërkombëtar, sepse kemi informacione të sakta që ndaj anëtarëve të KSHZ, që ditën e premte, u janë dhënë instrukcione partiake në selitë e tyre nëpërmjet të presionit politik”, tha Elmi Aziri.

Nga Fronti Evropian theksojnë se, këto veprime janë vepra penale dhe se  do të ndërmirren të gjitha masat e nevojshme dhe do të shfrytëzohen të gjitha format demokratike për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve./tvklan.mk