Rajon - Botë

Forcat izraelite vrasin një tjetër palestinez në Bregun Perëndimor

Një palestinez humbi jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë në qytetin e Khalilit (Hebron) në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.

Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, tensionet kanë shpërthyer mes dhjetëra palestinezëve dhe forcave izraelite në hyrjen e Yata-s në jug të qytetit të Khalilit. Forcat izraelite ndërhynë kundër palestinezëve me plumba të vërtetë dhe gome.

Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, thuhet se 29-vjeçari Fuad Ismail Mahmud Abu Subhe ka humbur jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat izraelite në hyrje të Yata-s.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se ka humbur jetën edhe 23-vjeçari Ahmed Nawfel, i cili u plagos rëndë si pasojë e zjarrit të hapur nga kolonët hebrenj pak ditë më parë në fshatin Ras Kerker, në veriperëndim të Ramallahut.

Forcat izraelite vranë 4 palestinezë në bastisjen në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor këtë mëngjes.

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori është rritur në 122.