Maqedoni

Flet Ibraim Bajrami – avokati mbrojtës i vajzës së dyshuar për vrasjen e 16-vjeçarit në Tetovë

Edhe pse dyshimet për vrasjen e 16-vjeçarit nga fshati Novo Sellë e Tetovës ende nuk janë bërë të qarta, por SPB Tetovë ka arrestuar një vajzë të moshës nën 18 vjeçare, si e dyshuara e parë. Avokati mbrojtës, Ibraim Bajrami për mediat u shpreh se çështja është në procedurë parahetimore dhe si e tillë duhet t’u lihet kompetentëve të qartësojnë rastin.

“Bëhet fjalë për një person të mitur të gjinisë femërore, e cila është nën moshën 18-vjeçare. Çështja është në procedurë parahetimore dhe si e tillë për shkak të zbardhjes sa më korrekte të rastit, është mirë që në këtë fazë të procedurës të lëmë organet kompetente të bëjnë detyrën e vetë. Sonte më gëzon fakti se, personi që unë mora përsipër ta përfaqësoj nga sonte dhe ditët në vijim, do të jetë në mbikëqyrje të personelit profesional – mjekësor për të vërtetuar gjendjen e saj psiko-fizike, që është shumë e rëndësishme për të vërtetuar gjendjen faktike në të ardhmen në lidhje me rastin shumë tragjik që ka ndodhur.” – deklaron avokati mbrojtës, Ibraim Bajrami.

Nëse do të vazhdojë të mbahet e paraburgosur vajza që dyshohet për vrasjen e 16-vjeçarit, avokati Ibraimi tha se vajza për momentin do të jetë në mbikëqyrje të specializuar psikiatrike, me qëllim për të vërtetuar gjendjen psiko-fizike të vajzës.

“Për momentin do të jetë në mbikëqyrje të specializuar psikiatrike. Pikërisht për të vërtetuar gjendjen psiko-fizike të personit në fjalë, kurse zbardhja e rastit, me siguri presim të kryhet pas të gjitha ekzaminimeve. Duhet të kemi parasysh se ende bëhet fjalë për ditën e parë të rastit dhe mendoj që ditët në vijim do të ketë informacione më korrekte, më konkrete dhe unë besoj se do të jenë në dobi të palës që unë përfaqësoj. Kjo padyshim, në të ardhmen do të tregojë sa kemi nevojë të merremi me fëmijët tanë, që kanë një rrugëtim nga shkolla e mesme, shtëpia, nga vendi social ku ata gravitojnë dhe sa është propabiliteti i mundësisë që ata të jenë viktima të kërcënimeve dhe shantazheve.” – shton ndër të tjera avokati.

I pyetur nga Nistori se si është gjendja momentale psiko-emocionale e vajzës së dyshuar gjatë kohës kur është deklaruar në polici, avokati Ibraimi tha se bëhet fjalë për një 17-vjeçare dhe duhet pasur kujdes të gjithë pjesëtarët e përfshirë në këtë procedurë parahetimore, si për moshën, emocionet, por edhe gjendjen psikologjike të saj. /Nistori