Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Tetovës prej ditës së sotme e deri ditën e premte mund të marrin kartelat për të shfrytëzuar transportin publik falas. Kartelat mund të merren në Zyrat e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”në Tetovë nga ora 8 deri ora 16. Sipas njoftimit të kësaj ndërmarrje, Nxënësit e shkollave fillore kartelën duhet ta marrin personalisht me shoqërimin e një prindi ose kujdestari, duke paraqitur dokument identifikimi, po ashtu nxënësit e shkollave të mesme kartelën mund ta marrin personalisht, duke paraqitur dokument identifikimi. Fillimisht drejtorët e shkollave kanë marrë njoftim nga Ndërmarrja “Tetova Transport” që të dërgojnë listat e nxënësve dhe të dhënat janë përpunuar ndërsa tash edhe të njëjtat kanë filluar t`u jepen nxënësve.
“Sipas të dhënave që kemi, deri më tani janë mbi një mijë nxënës që kanë të drejtë të shfrytëzojnë transportin publik falas dhe ky numër ditëve në vijim do të rritet me plotësimin e listave të drejtorëve të shkollave. Krahas kësaj, ditëve në vijim do të kemi promovimin e aplikacionit Teklik, ku do të promovohen edhe kategoritë tjera që do të shfrytëzojnë transportin publik falas dhe që kjo është për banorët e Komunës së Tetovës. Qytetarët do të duhet që të aplikojnë përmes aplikacionit Teklik, duhet të kenë të paguara detyrimet ndaj Komunës së Tetovës, siç janë tatimi në pronë dhe detyrimet tjera komunale”, tha Arbër Ajdini, drejtor operativ i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”.
Më tej, nga kjo ndërmarrje thonë se ka një interesim të madh të qytetarëve dhe pritet që vendimi i Këshillit komunal të promovohet dhe të jepen detaje se cilat kategori do të përfshihen. “Realisht, jashtë kësaj do të mbeten qytetarët që nuk janë banorë të Komunës së Tetovës, por jo të gjithë sepse studentët janë kategori për të cilët nuk duhet identifikimi i lokacionit, mirëpo për këtë do të duhet që të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Tetovës dhe universiteteve. Krahas kësaj, do të nënshkruhet memorandume bashkëpunimi me shoqatat e pensionistëve, shoqatave e personave me invaliditet dhe kategori të tjera të qytetarëve”, deklaroi drejtori operativ, Arbër Ajdini.
Deri më tani, transportin falas kanë filluar ta shfrytëzojnë edhe punëtorët tjerë në administratë dhe kompani private. Në ndërkohë, pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve dhe kategorive të përfshira në transportin falas do të marrin kartelë pritet që të shtrohet nevoja edhe për rritjen e kapaciteteve gjegjësisht blerje të autobusëve të rinj. Nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”në Tetovë thonë se presin që edhe qeveria të blejë autobusë të rinj dhe Tetova të jetë në mesin e qyteteve që do të përfitojë. (koha.mk)

