Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sonte në një tribunë të organizuar në kuadër të fushatës zgjedhore tha se këto zgjedhje janë me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e qytetarëve dhe për përparimin e vendit. Se Gostivari e di se forca qëndron në unitet, jo në përçarje.
“Ky është momenti kur çdo votë bën diferencën. Prandaj them se asnjë votë nuk është më pak e rëndësishme. Kjo nuk është kohë për heshtje, kjo është kohë për korrigjim. Abstenimi nuk është ndëshkim për LSDM-në – është shpërblim për VMRO-në. Çdo votë e humbur është një fitore për regjimin që e ndiejmë përsëri. Le t’i shfrytëzojmë këto ditë për të folur me fqinjët, të afërmit, për të vizituar çdo lagje, për t’u mobilizuar dhe për të bërë thirrje për bashkim. Tani nuk është koha të heqim dorë nga lufta për shtëpinë tonë. Ky është një moment kthimi, uniteti, një fillimi të ri”, tha Filipçe.
Ai tha se Gostivari e di që forca qëndron në unitet, jo në përçarje, dhe se kjo është arsyeja pse Gostivari është simbol i bashkëjetesës, respektit dhe dinjitetit, dhe se nga këtu do të fillojë rivendosja e vlerave, të cilat, siç theksoi ai, janë shkatërruar sistematikisht.
Filipçe kritikoi ashpër politikat e qeverisë dhe e akuzoi atë për përçarje të qëllimshme të popullit për të fshehur paaftësinë e vet.
“Ata që qeverisin sot po përpiqen të na ndajnë – me gënjeshtra, me përçarje, me nacionalizëm që supozohet të mbulojë paaftësinë e tyre. Politika e tyre është politikë përçarjesh, destabilizimi, fyerjesh. Një politikë që gjithmonë përfundon me tensione në shoqëri”, vlerësoi Filipçe.
Ai tha se VMRO-DPMNE kishte harruar mësimin më të rëndësishëm nga historia – se uniteti është forca e këtij vendi.
Ai theksoi se vrima buxhetore po zgjerohet, borxhi publik po rritet dhe qytetarët po bëhen më të varfër.
“Realiteti është se buxheti është në një vrimë prej 1.4 miliardë eurosh, të ardhurat mbeten prapa, ndërsa investimet kapitale janë realizuar më pak se gjysma. Ata marrin hua pa justifikim, borxhi publik arrin mbi 62 përqind të produktit të brendshëm bruto, niveli më i lartë në rajon, ndërsa investimet e huaja pothuajse nuk ekzistojnë. Ky është rezultat i politikave të këqija, paaftësisë, injorancës dhe neglizhencës. Ata nuk kanë as plan as strategji se si ta udhëheqin vendin”, theksoi Filipçe.
Ai shtoi se derisa pushteti po grumbullon borxhe të reja, njerëzit po zhyten në varfëri, pagat po ngecin dhe nuk ka masa për të mbështetur qytetarët.
“Paga minimale është ende një nga më të ulëtat në rajon, pensionistët morën më pak se sa ishte premtuar – vetëm 1.000 denarë, studentët nuk morën rritjen e kërkuar prej 130 denarësh për shujtat studentore, vauçerët prej 250 euro janë zhdukur dhe mbi 1.000 studentë mbetën pa shujtë studentore. Fermerët në Pollog mbetën pa mbështetje – subvencionet janë ulur, çmimet e blerjes kanë rënë dhe puna është zhvlerësuar”, tha Filipçe.
Ai theksoi se LSDM-ja ka qenë gjithmonë në anën e qytetarëve me masa mbështetëse edhe në krizat më të mëdha me të cilat është përballur vendi.
Bartësi i listës së koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja, Bojan Zafirovski, premtoi se puna e tij, së bashku me grupin këshillues, do të jetë e arritshme për të gjithë qytetarët dhe do të përfaqësojë nevojat dhe kërkesat e tyre.