Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai, ka reaguar pas dy vendimeve të rëndësishme të Kuvendit: miratimit të Ligjit për kundërvajtje që hap rrugë për “Safe City” dhe zgjedhjes së Faton Selamit si Avokat i Popullit, përcjell tetova1
Sipas Fetait, këto vendime demaskuan klikën që mbajti shqiptarët peng me bllokada dhe skenare për pazare personale, duke treguar qartë se qytetari për ta është vetëm mjet, ndërsa pushteti është qëllimi, dhe duke shpjeguar pse “anija e Ali Ahmetit është fundosur pa kthim”.
Postimi i plotë i Fetait:
“Sot në Kuvend ranë dy maska përnjëherë. Ligji për kundërvajtje u miratua dhe i hap rrugë “Safe City”, një hap që realisht e rrit sigurinë në komunikacion. Po sot u zgjodh edhe Faton Selami si Avokat i Popullit, një profesionist që i duhet vendit.
Këto dy vendime e demaskuan klikën që mbajti shqiptarët peng me bllokada e skenare për pazare personale. Sot tentuan sërish ta keqpërdorin “badenterin” për interesa të ngushta, duke dashur të prodhojnë një skenar të ngjashëm me atë të “Dhomës 161” të Kuvendit, kur jargativeshin që të rrinë në pushtet.
Sot u pa qartë se qytetari për ta është vetëm mjet, ndërsa pushteti është qëllimi. Po ashtu i ashtuquajturi “Front Evropian” nuk ekziston. Ekziston vetëm një grup deputetësh të shpërndarë, pa busull. Dhe kjo është arsyeja pse anija e Ali Ahmetit është fundosur pa kthim. S’mund të riparohet, sepse është mbështetur te piratët e saj të vjetër politikë.
Gënjeshtrën dhe fasadën i kanë pasur A, B, C të tyre, prandaj gjithçka po u rrënohet.
Mashtrimi politik kurrë s’është recetë për fitore.”, ka përfunduar Fetai./tetova1.mk

