Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias, njoftoi kabineti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai. Shtojnë se me këtë ligj, do të sigurohet një ekuilibër cilësor midis sistemit të meritave dhe respektimit të standardeve profesionale dhe parimit të përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve.

“Ligji mundëson përfshirje të drejtë në punësim në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, pa cenuar cilësinë dhe profesionalizmin. Deklarimi i përkatësisë etnike është plotësisht vullnetar dhe nuk shkakton asnjë pasojë negative në realizimin e të drejtave të qytetarëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimin”, deklaroi Arben Fetai Zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.

Nga ana tjetër deputeti i ASH-së, pjesë e Frontit Euorpian, Halil Snopçe, kritikoi vonesën e sjelljes së Ligjit për Përfaqësim të drejtë dhe Adekuat, duke thënë se ligji është dashur të sillej që në nëntor dhe i njëjti, sipas tij, ka shumë mangësi. Megjithatë paralajmëroi se do e përkrahin kur ai do të jetë para deputetëve.

“Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do e përkrahim sigurisht, por ligji duhet të sillej në nëntor të vitit të kaluar. Kjo ishte edhe një nga arsyet e daljes sonë nga VLEN. Pra, me heqjen e balancuesit, që ne me të vërtetë menduam se është vepër e pushtetit të kaluar, po me kalimin e kohës u bindëm se kjo është vepër e pushtetit të tanishëm. Me heqjen e balancuesit 13 muaj ka keqpërdorime në punësime. Në Gostivar, p.sh. në Mavrovë, ku edhe ashtu përqindja e shqiptarëve është e vogël dhe duhet përmirësuar, prej 34 punësimeve vetëm katër janë shqiptarë”, potencoi Halil Snopçe – deputet i ASH-së/FE.

Ndryshe Qeveria draft-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat e përpiloi në qershor, rreth një vit pasi Gjykata Kushtetuese më 9 tetor 2024 vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, ndërkaq Komisioni i Venecias draft-versionin e ligjit nga qeveria e ka pranuar në muajin korrik.

sqShqip