Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, Agon Ferati, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Michalis Rokas, me të cilin ka diskutuar për procesin e integrimit evropian dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit kanë theksuar rolin e institucioneve në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, si dhe rëndësinë e avancimit të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve.
Ferati tha se vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse, krijimit të mundësive të barabarta për qytetarët dhe forcimit të kapaciteteve institucionale të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për projektet që synojnë zhvillimin e barabartë të rajoneve, rritjen e kohezionit shoqëror dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ferati theksoi se partneriteti me Bashkimin Evropian mbetet kyç për avancimin e reformave, zhvillimin institucional, forcimin e bashkëjetesës dhe përparimin e perspektivës evropiane të Kosovës.

