Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) po synon ta vendosë një paralajmërim mbi vaksinat kundër Covid-19 – paralajmërimi më serioz që u vihet ilaçeve dhe vaksinave, i cili tregon për rreziqe të mundshme serioze.

Plani, sipas dy burimeve të CNN-it, nuk është final dhe mund të ndryshojë, dhe nuk dihet nëse do të prekë vetëm vaksinat mRNA apo të gjitha vaksinat Covid-19.

Paralajmërimet e tilla në opioidë, për shembull, njoftojnë për rreziqet e abuzimit, varësisë, mbidozës dhe vdekjes. Apo, medikamenti kundër akneve, Accutane, mban paralajmërim rreth rrezikut të defekteve në lindje kur përdorej gjatë shtatzënisë.

Tre vaksina janë të miratuara nga FDA-ja për përdorim në SHBA, dhe dy prej tyre — Pfizer dhe Moderna — përdorin teknologjinë mRNA, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes së administratës.

Në përgjigje rreth planeve të FDA-së, Moderna iu referua një deklarate të dhënë në shtator për sigurinë e vaksinës së saj. Ajo pohoi se vaksina është monitoruar në mbi 90 shtete dhe nga shpërndarja e mbi një miliard doza në botë nuk ka rezultuar me raportim të ndonjë shqetësimi të ri te fëmijët apo shtatzënat.

Edhe Pfizeri publikoi në shtator një deklaratë duke mbështetur sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës së saj kundër Covid-19.

Një studim vlerësoi se në vitin e parë të përdorimit të tyre, vaksinat kundër Covid-19 kanë parandaluar gati 20 milionë vdekje në mbarë botën.

sqShqip