FC Shkupi ju rikthehet fitoreve, mund kampionët e Fc Struga
Dy golat e shënuar brenda 45 minutave të para nga El Haxhi Gueje dhe Xhelil Asani, bënë diferencën në fitoren e sotme 3:1 të FC Shkupit ndaj kampionëve të Struga Trim Lum, ndaj së cilës skuadër “bardheblutë” regjistruan edhe fitoren e dytë këtë edicion dhe gjithsej të 8-tën në përballjet mes tyre.
Goli i hershëm i El Haxhi Gueje, i realizuar pas një tollovie në zonën kundërshtare në minutën e 17-të, i dha krahë skuadrës së trajnerit Erdem Alparslan, që në minutën e 32-të përfitoi një penalti përmes këmbëshpejtit, Florian Kadriu.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri, Xhelil Asani, i cili nuk gaboi dhe shënoi golin e parë me fanellën e FC Shkupit, duke ngritur në ato momente epërsinë në 2:0.
Pas epërsisë prej dy golave gjatë pjesës së parë, FC Shkupi e nisi me shumë komoditet dhe vetëbesim pjesën e dytë, ku shumë lehtë mund të ndodhte që në aksionin e parë më konkret të shënojnë edhe golin e tretë me anë të Xhemal Ibishit, që nga brendia e zonës vuri në mjaft vështirësi portierin mysafir, Qoshevski.
Pas saktësisht 10 minuta lojë në këtë pjesë, Albert Diene, edhe pse para vetes kishte mjaft hapësirë për të goditur dhe rrezikuar portën mysafire, nuk arriti që të gjejë cakun e duhur.
Megjithatë, atë që nuk arriti të bëjë Diene, e bëri rezervisti, Georg Stojanovski, i cili në minutën e 75-të shfrytëzoi në maksimum pasimin e Besar Guxhufit. Ky i fundit me hapa të shpejtë u nis drejt gjysmëfushës kundërshtare, pas një gabimi të mysafirëve para zonës së FC Shkupit, ndërsa mu në momentin e duhur vendosi të shërbejë me topin bashkëlojtarin e tij të sulmit, i cili në ato momente shënoi për rezultat 3:0.
Me këtë gol, kishte marrë fund edhe historia e fituesit, pasi deri në mbyllje të takimit, Struga Trim Lum, arriti që të shënojë vetëm një gol, edhe atë në minutën e parë të kohës shtesë, përmes sulmuesit të saj kryesor, Lanre Kehinde.
Në fund fitore më se e merituar e skuadrës së FC Shkupit, që në këtë mënyrë ndërpreu serinë prej 5 ndeshjeve pa fitore. Është kjo fitorja e 5-të sezonale për skuadrën nga Çairi, që rikthehet në pozitën e 6-të, derisa në xhiron e fundit të stinorit vjeshtorë, si mysafir kjo skuadër do të përballet me Besën e Dobërdollit në Gostivar.