Dita e pestë që BDI dhe Ali Ahmeti fshihen në heshtje të thellë. Dita e pestë që po ikin nga përgjigjet që ua kanë borxh shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Heshtja e tyre është pranimi më i zhurmshëm i fajit në aferën më të madhe politiko-financiare që po trondit vendin, ka akuzuar Bekim Fazliu nga VLRN.
“Menduan se nëse do të heshtin, e vërteta do të zhduket. Menduan se nëse do të injorojnë faktet, populli do të harrojë. Por u gënjyen. Ne nuk harrojmë dhe nga sot, afera e tyre po merr edhe një dimension zyrtar, institucional.
Të thuhet ajo në mënyrë që i gjithë publiku të dëgjojë se çfarë po tentohet të fshihet pas heshtjes së tyre:
Së pari: Familja e Ali Ahmetit, përmes kompanisë fantazmë “AS Senjak”, shiti një pako të madhe aksionesh të Alta Bankës nga Beogradi, një bankë e kontrolluar drejtpërdrejt nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit. Së dyti: Familja e Ahmetit bleu të njëjtat aksione një vit më parë nga njeriu i të gjitha skemave, Sasho Mijalkovi. Me këtë konfirmohet boshti kriminal Mijallkov – Ahmeti – Vuçiq i cili vepron pas shpinës së qytetarëve.
Së treti: Zbuluam se kompania “AS Senjak” është vetëm një “ngrohës uji që rrjedh” për pastrim parash i pompuar me miliona euro nga tenderët e komunave të BDI-së, dhe më pas me paratë e popullit të tregtojë me Mijallkovin dhe Vuçiqin”, tha Fazliu.
Sipas tij, ky nuk është biznes por është “tradhti e pastër e interesave kombëtare e paguar me paratë e qytetarëve!”.
“Meqenëse BDI dhe Ali Ahmeti refuzojnë të përballen me të vërtetën, sot po kalojmë nga fjalët në vepra.
VLEN sot zyrtarisht dorëzon Iniciativë deri te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Kërkojmë nga KSHPK të hapë urgjentisht lëndë dhe të hetojë të gjithë ndikimin politik dhe të gjitha marrëveshjet e fshehta midis elitës politike të BDI-së dhe shtetit serb, të cilët qëndrojnë pas kësaj marrëveshje të turpshme.
Kërkojmë nga KSHPK të hetojë të gjitha tenderët që ka fituar AS Senjak, e cila është kompani familjare e Ali Ahmetit dhe sa nga ato tenderë u morën nga institucione të drejtuara nga zyrtarë të BDI-së dhe sa përmes atyre tenderëve u shkel procedura ligjore.
Dyshimi ynë i mbështetur nga të gjitha provat deri më tani, është se shitja e aksioneve nuk është aspak e motivuar ekonomikisht, por është një operacion i dakorduar politikisht. Ky nuk është një transaksion tregu, por realizim i një marrëveshje të dyshimtë midis qendrave politike të pushtetit”, shtoi Fazliu.
Fazliu ka parashtruar katër kërkesa të VLEN, deri te Antikorrupsioni:
Kërkojmë që KSHPK të hetojë:
1. A ka abuzim të pozitës zyrtare dhe ndikimit politik nga ana e Ali Ahmetit dhe zyrtarët e BDI-së për t’u mundësuar kjo marrëveshje?
2. Cila është prapavija e transaksioneve financiare midis kompanisë së Mijalkovit dhe kompanisë së familjes së Ahmetit?
3. A thua tenderi i madh prej 1.5 milion eurosh dhënë kompanisë “AS Senjak” vetëm gjashtë ditë pas shitjes është një shpërblim për shërbimin politik të kryer me sukses ndaj Beogradit?
4. A po e rrezikon ky operacion sigurinë kombëtare dhe stabilitetin financiar të shtetit duke instaluar kapital për një regjim të huaj?
Ky është një test për institucionet. Ky është momenti kur KSHPK duhet të dëshmojë nëse punon për qytetarët apo është vetëm një dekor për qeverinë kriminale. Presim një hetim të shpejtë dhe të plotë.
“Të nderuar, Ali Ahmeti dhe BDI duhet ta dinë se nuk do të ndalemi këtu. Heshtja e tyre nuk do të na ndalë. Çdo ditë do t’ua kujtojmë tradhtinë e tyre.
Koha e gënjeshtrave ka mbaruar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë para institucioneve dhe para popullit. E vërteta do të dalë në shesh, ndërsa drejtësia do të arrijë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë aferë antishqiptare dhe antishtetërore”, tha në fund Fazliu.

 
                    
 Shqip
Shqip