Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të vazhdojë të mbetet në qeli, pasi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e tij për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
“Kemi kërkuar të caktohet një masë më e butë, jo arrest me burg, të cilën gjykata e ka rrëzuar. Veliaj ishte i pranishëm dhe ka deklaruar të njëjtat gjëra që janë parashtruar në kërkesë. Nuk ka dalë përtej kërkesave ligjore. Por gjykata rrëzoi kërkesat. Prokuroria mbajti qëndrimin që masa duhet të vazhdojë. Pavarësisht se kanë mbaruar hetimet, provat mund të manipulohen. Kjo ishte logjika e Prokurorisë, por që ne nuk jemi dakord me këtë logjikë”, tha avokati i Veliajt për seancën e sotme Sokrat Gjermeni.
Kujtojmë që kryebashkiaku Veliaj ishte i pranishëm në sallën e GJKKO, ndërsa SPAK u përfaqësua nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet më 10 shtator 2025 dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar që në 10 shkurt 2025.
Po kështu, për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, përfshirë: korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg.

