May 2, 2024
Rajon - Botë

Erdogani në Berlin kritikon Gjermaninë: Vetëm borxhlinjtë mbrojnë Izraelin

Presidenti turk gjatë fundjavës ka qëndruar në Berlin për vizitë zyrtare. Nga kryeqyteti gjerman ai ka kritikuar shtetin nikoqir për qëndrimin në lidhje me luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Ka thënë se vetëm borxhlinjtë po i dalin në mbrojtje Izraelit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kanë treguar dallimet e tyre të thella për luftën mes Izraelit dhe Hamasit në vizitën e shumëpritur të liderit turk në Berlin.

Erdogani ishte ftuar për vizitë në Gjermani para disa muajsh, por javët e fundit kanë kaluar nga pakënaqësia në Berlin në lidhje me qëndrimin e Erdoganit kundër Izraelit.

Turqia për kohë të gjatë është cilësuar si partnere e papërshtatshme, por e nevojshme për Gjermaninë, shtëpi e më shumë se 3 milionë qytetarëve me prejardhje turke.

“Nëse duart, krahët dhe gjuha jonë mbeten të lidhura, nuk mund ta llogarisim këtë historikisht. Lufta izraelito-palestineze nuk duhet të vlerësohet me psikologjinë e borxhit. Unë flas lirshëm sepse nuk i kemi borxh Izraelit. Nëse do t’i kishim borxhe, nuk do të mund të flisnim kaq lirshëm. Ata që i janë borxhli nuk mund të flasin lirshëm. Ne nuk e kemi kaluar Holokaustin dhe nuk jemi në situatë të tillë”, ka thënë Erdogani.

Marrëdhëniet janë ftohur pas qëndrimeve të ndryshme për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit. Lideri turk vazhdimisht u është referuar militantëve të Hamasit si “luftëtarë të rezistencës” që po bëjnë përpjekje të mbrojnë tokat e tyre.

“Do të doja ta përsërisja përsëri se, për ne, është e nevojshme, gjithashtu edhe në perspektivën afatgjate të paqes, se Hamasi nuk mund të jetë në pozitë të kryejë akte të agresionit sikur ato që pamë më 7 tetor. Siç e keni parë, ne patëm bisedime të mira me njëri-tjetrin, përkundër dallimeve në opinione, dhe kjo është e rëndësishme në situatën aktuale”, është përgjigjur kancelari gjerman.

Gjermania është përkrahëse e palëkundur e Izraelit ndërkaq Erdogani gjatë kësaj jave e ka cilësuar Izraelin si shtet terrorist që ka qëllim të shkatërrojë Gazën.

“Po flasin për shkëmbimin e pengjeve. Në rregull, ne jemi në favor të kësaj. Por kur ju flisni për pengjet, sa është numri i pengjeve që po mbahen në Izrael dhe cili është numri i pengjeve që po mbahen nga Hamasi ose Palestina? Kur e shikojmë këtë, Izraeli ka më shumë pengje në duar. Pengjet dhe të burgosurit janë në duart e Izraelit që disa vjet. Duhet ta shohim këtë, do të ishte e padrejtë nëse nuk e shohim këtë”, u shpreh presidenti turk.

Izraeli ka tërhequr diplomatët nga Turqia gjatë muajit të kaluar kur Erdogani e akuzoi Izraelin për krime lufte. Edhe Turqia ka tërhequr ambasadorin e saj nga Izraeli.

Grupi militant i Hamasit është shpallur organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.