Shqipëri

Ekstradohet “baroni i drogës”, pas arrestimit në Kosovë, Gëzim Çela i dorëzohet forcave “RENEA”

Gëzim Çela, i njohur ndryshe si ‘Baroni i drogës’ është ekstraduar në Shqipëri nga Kosova, shtet në të cilin u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare në dhjetor të vitit të kaluar.

Këto janë pamjet që tregojnë momentin e dorëzimit të Gëzim Çelës nga policia e Kosovës tej Forcat RENEA në pikën e kalimit kufitar në Morinë.

Nën masa të rrepta sigurie Çela më pas u nis drejt Tiranës.

Ai u arrestua në fshatin Dardani të Ferizajt në Kosovë, ku fshihej prej disa kohësh, ndërkohë që ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti. Në momentin që policia i vendosi prangat ai ishte nën shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria dhe pronarit të banesës që e strehonte. Po ashtu, atij iu gjet edhe një armë zjarri kallashnikov.

Ishte Prokuroria e Posaçme që kërkoi arrestimin e tij në kuadër të operacionit ‘Flakë në det’. Prej më shumë se 20 vitesh edhe pse kishte dyshime të forta që Gëzim Çela drejtonte trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, sërish ai konsiderohej si një nga personat e paprekshëm nga drejtësia.

Jo vetëm bandat në zonën e Patokut, por Gëzim Çela rezultoi pas hetimeve të SPAK se kontrollonte edhe vetë Komisariatin e policinë së Kurbinit.

Pas zbërthimit të celularëve dhe përgjimeve, SPAK zbuloi se Gëzim Çela kishte mbrojtjen e shefit të komisariatit Dritan Metaj, madje ky i fundit shpesh herë kryente edhe rolin e shoferit për baronin e drogës. Metaj u arrestua gjatë fazës se dytë të operacionit. Ndërsa në kërkim u shpallën Arben Dalipaj dhe Roland Guza.
Në datën 15 gusht të vitit të kaluar SPAK dhe policia finalizuan operacionin ‘Flakë në det’ ku u arrestua Arlind Ismailukaj, Nerim Çela, nip i Gëzim Çelës, Besnik Brokeri, Armando Mema dhe dy shtetas nga Ukraina. Ky grup u godit teksa po përpiqej të shkëmbente drogën në mes të detit. Pasi u pikasen nga policia, ukrainasit hodhën drogën në det dhe i vunë flakën velierës.

Policia arriti që të gjejë vetëm 23 kg kanabis, ndërkohë që lënda e hedhur në det dyshohet të ishte shumë herë më e madhe./vizionplus.tv