April 27, 2024
Shqipëri

Edi Rama: “Open Ballkani” nuk ndalet, Berisha: Ndalet, ndalet…

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me udhëheqësit e dy vendeve të “Ballkanit të Hapur’ Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se nuk do ta ndalin ‘Ballkanin e Hapur’, pasi sipas tij me vendime që i kanë marr gjatë ditës së sotme mijëra njerëz përfitojnë drejtpërdrejtë. Rama, përkundër që i ftoi t’i bashkohen kësaj iniciative edhe vendet e tjera të rajonit, tha se nuk do ta ndalin këtë iniciativë edhe nëse ata nuk i bashkohen, pasi sipas tij këtë iniciativë nuk e kanë nisur për të tjerët. “Thirrja jonë për të tjerët që të vijnë nuk është thirrje aman hajdeni se po s’erdhët ju ne do ta lëmë këtë punë, se ne këtë punë nuk e kemi nis për të tjerët e kemi nis për Shqipërinë siç e kanë nisur secili për vendin e vet. Ata janë të mirëpritur, mund të përfitojnë nga këto nisma dhe nuk do ta ndalim ‘Ballkanin e Hapur’”, tha Rama.

Mirëpo ish-kryeministri Sali Berisha pasditen e së hënës në protestën e thirrur kundër nismës rajonale “Open Ballkan”, u zotua se me të ardhur në pushtet, Partia Demokratike do të hedhë poshtë të gjitha aktmarrëveshjet që janë bërë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

Sipas tij, treshja Rama, Vuçiç, Zaev po përpiqen ta paraqesin “Open Balkans” si një politikë që mbështet nga SHBA, por shton ish-kryeministri e kundërta është e vërtetë.

“SHBA mbështesin vetëm bashkëpunim mes vendeve të barabarta, jo mes vendeve sovrane dhe vendeve të nënshtruara. SHBA është faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan por Ballkani i Hapur ka një kumbar ai është multi-miliarderi Soros. Me këtë rast, më lejoni t’i bëj thirrje kongresit të SHBA, qeverisë të SHBA, të ndalojë çdo veprimtari politike që dublon politikën e SHBA në Ballkan të Soros…”, tha Berisha.